News/evente

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi konferencën e titulluar: “Të jesh qytet sot”.
I ftuar për të folur rreth planit urbanistik të kryeqytetit “TR030”, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi iniciativën e universitetit: “UNIKZKM bën ndryshimin e kulturës, ashtu si Bashkia e Tiranës bën ndryshimin e infrastrukturës”.
Konferenca nisi me përshëndetjet e autoriteteve.
Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit Zoja e Këshilit të Mirë u shpreh se nisur edhe nga titulli i konferencës, secili prej nesh sot duhet të ndihet pjesë e qytetit. Qyteti duhet të bëhet i përkryer në mënyrë që qytetetarët e tij të jetojnë mirë, sepse ata jane qendra e qytetit.
Ndërsa Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshilit të Mirë” tha se çdo planifikim urbanistik ka qëllim përmirësimin e cilesisë së jetesës dhe zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm.
Konferencën e pershëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Sh.T. Z. Alberto Cutillo.

Në prani të dy homologëve të tij nga Italia, Z. Dario Nardella, Kryetar i Bashkisë së Firences, Z. Flavio Tosi, Kryetar i Bashkisë së Veronës, por edhe të Prof. Stefano Boeri, arkitekti italian që ka hartuar planin rregullues të kryeqytetit të Shqipërisë, Z. Veliaj u ndal më gjerësisht tek “TR030”.
“Unë jam sot shumë entuziast sepse këtë javë inaguruam një nga projektet transformuese të parashikuar në TR030. Është projekti i Pazarit të Ri. Në fakt, projekti transformues nuk është vetëm një projekt arkitekture, është një transformim edhe i arkitekturës mendore, i mënyrës se si komunikojmë me njëri-tjetrin, si e ndajmë në mënyrë demokratike hapësirën publike, si rrisim vlerën e pronës dhe ndikojmë në tregun imobiliar, falë një investimi arkitekturor që ka për qëllim jo vetëm një rigjenerim urban por edhe një transformim të stilit të jetesës dhe të bashkëpunimit komunitar me hapësira si Pazari i Ri”.

Vetë arkitekti Prof. Stefano Boeri mendon se ekziston mundësia që Tirana të bëhet një metropol, në gjendje të sfidojë qytete të tjera të mëdha si model zhvillimi urban dhe të shndërrohet nëe njëe metropol me cilësi të larte jetese. Filosofia e pyllit vertikal që ështëe përkthyer në planin rregullues të Tiranës si pylli orbital, mund të jetë, sipas Boerit, formule e aplikueshme dhe në shumë qytete të tjera të botës.

Prof. Saverio Mecca, Drejtor i Departamentit të Arkitekturës në Universitin e Firences, bëri të ditur se prej dy vitesh ky universitet ka nisur bashkëpunimin me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” duke i dhënë jetë programit të studimit në arkitekturë. Profesorët e këtij departamenti, të cilët zhvillojnë leksion në UniKZKM, janë pjesë e grupi hartues të planit strategjik të qytetit të Firences, plan i cili do të prezantohet nesër në Firence nga kryebashkiaku Z. Nardella.
Pikërisht Z. Dario Nardella dhe Z. Flavio Tosi, Kryetar i Bashkisë së Veronës e vunë theksin tek rëndësia e rikualifikimit të ndërtesave ekzistuese dhe mosngritjen e ndertesave të reja që çojnë në betonizimin e qyteteve.
Konferenca u moderua nga Prof. Lorenzo Ornaghi, Ish Rektor i Universitetit Katolik të Milanos dhe Ish Ministër i Republikës së Italisë për Trashëgiminë Kulturore. Ai u shpreh se ideja per realizimin e kësaj konference lindi në një takim të mbajtur në Ambasaden italiane në Tiranë. “Për më të rinjtë, viti 2030 mund të duket një datë shumë e largët për t’u diskutuar sot dhe prandaj tema e vërtetë e konferencës ishte plani urbanistik në këndvështrimin e gjallërimit kulturor të kryeqytetit.

Në këtë event morën pjesë figura të larta të botës akademike, politike dhe fetare, si edhe studentët e Universitetit Katolik ZKM.