News/evente

“Tregu i sigurimeve në Shqipëri: mundësi për biznes” është tema e një Leksioni të Hapur që u mbajt pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, me iniciativë të Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale.
I ftuar në Leksionin e Hapur, përpara një auditori me studentë dhe profesorë, Z. Pajtim Melani, Kryetarë i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, bëri të ditur se aktualisht nga sektori i sigurimeve në vendin tonë burojne 115 milion euro në vit, duke e renditur atë si një treg të vogël. Z. Melani u shpreh se ky leksion është i rëndësishëm për ndërgjegjësim dhe për të kuptuar vlerën e tregut të sigurimeve. Ai bëri me dije se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nisur një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për t’i patur sigurimet pjesë të kurrikulës. Gjithashtu shtoi se këtë strategji Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare synon ta shtrijë në sektorë të shumtë, ndërsa shpjegoi lehtësitë që krijon tregu i sigurimeve tek investitorët.
Në këtë aktivitet mori pjesë z. Ervin Xhomo, përfaqësues i Banka Intesa San Paolo në Tiranë, i cili u shpreh se në raport me sistemin bankar, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka ecur me ritme shumë herë më të ulta. Megjithatë Z. Xhomo shpjegoi mënyrat se si bankat bashkëpunojnë me shoqëritë e sigurimeve. Në të njëjtën kohë, ai informoi se Banka Intesa San Paolo ka arritur firmosjen e një marrëveshje për sigurimin e jetës me klientët e saj. Gjithashtu beri të ditur se Banka Intesa San Paolo ka nisur trajnimin e agjentëve për të ndërgjegjësuar klientët dhe për t’i shtyrë ata drejt shërbimeve të sigurimit.
Leksionin e Hapur e përshëndetën me fjalën e tyre, Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Bruno Giardina, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Giovani Arcudi dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, Prof. Giovanni Lagioia.