News/evente

Qendra Universitare e Gjuhëve e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të mirë” priti në datat 6 dhe 7 Prill 2017 nxënësit e shkollës 9- vjeçare jopublike të Durrësit, “Vinçenc Prendushi”. Nxënësit u njohën me programet dhe veprimtarinë e Qendrës Universitare të Gjuhëve ZKM, në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Një ditë në Universitet”.
Të ndarë në grupe, nxënësit morën informacion të detajuar lidhur me programet e gjuhëve italiane, angleze dhe shqipe që ofrohen nga Qendra e Gjuhëve e UKZKM-së. Drejtorja e kësaj strukture e UKZKM-së, Natalina Hoti u prezantoi objektivat e përgjithshme të Qendrës së Gjuhëve dhe u shpjegoi të rinjve në detaje programin e gjuhëve në të gjitha Fakultetet dhe veprimtarinë extrakurrikulare të saj. Në sajë të një marrëveshje bilaterale mes Universitetit të Cambridge dhe Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të mirë”, Qendra e Gjuhëve jep Çertifikatën Ndërkombëtare CAMBRIDGE ENGLISH në të gjitha nivelet evropiane për gjuhët.
Nxënësit e shkollës “Vinçenc Prendushi” vizituan Kampusin Universitar, Klinikën e Odontoiatrisë dhe Qendrën e Fizioterapisë.