Evente/lajme

Në prag të Ditës botërore të autizmit, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi konferencën e titulluar: “Të njihemi me autizmin”.
Që në nisje, moderatori i konferencës, Prof. Arvin Dibra, ZV/Dekan I Fakutetit të Mjekësisë u shpreh se qëllimi i saj është që të flitet për mundësinë e diagnostikimit, trajtimit, kurimit, si dhe për risitë kërkimore lidhur me autizmin.
Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë në fjalën e tij përshëndetëse solli në vëmendje iniciatoren e konferencës. Ajo është Elena, studente në Fakultetin e Farmacisë, e cila përballet çdo ditë me këtë realitet, pasi vëllai i saj është autik. Atë Daniele Bertoldi tha se kjo është një iniciativë serioze dhe domethënëse.
“ Disa terma lidhur me autismin kanë ndryshuar me kohën. Dikur flitej për persona me hantikap, sot flitet për njerëz me aftësi të kufizuara, ndërsa unë do preferoja të flitej për njerëz që kanë aftësi të ndryshme, por që nuk do të thotë se janë më inferiorë.”
Prof. Paulina Hoti organizatore e kësaj konference përcolli për të pranishmin mesazhin e Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshilit të Mirë.
“Titulli i konferencës – Të njohim autizmin – është një sfidë që na përfshin të gjithëve. Të njohësh do të thotë të kuptosh; të kuptosh do të thotë që problemin ta bësh pjesë tënden, situatën dhe mënyrën e të qënit. Nuk jam ekspert në këtë fushë por mendoj se e ashtuquajtura mungesë e komunikimi që duket sikur ekziston në botën e autizmit, duhet të konsiderohet vetëm si një mënyrë tjetër për t’u shprehur, mënyrë e cila duhet të kuptohet jo vetëm në shkaqe por edhe në shfaqjet e saj.”
Përpara auditorit të tejmbushur, sidomos nga studentë të Fakultetit të Mjekësisë Prof. Ariel Çomo, mjek psikiatër, prezantoi statistika të reja për autizmin në Shqipëri edhe në nivel global, ndërsa Znj. Juliana Esaj, psikologe foli gjërësisht për sjelljet, se si ky çrregullim manifestohet. Ajo theksoi se sot autizmi shfaqet si një fenomen i përhapur katër herë më shumë tek djemtë sesa tek vajzat.

Shkrimtari Prof. Edmond Tupja rrëfeu përvojën e tij personale lidhur me autismin. Tupja u shpreh se rreziku është shumëplanësh, së pari për vet fëmijën që lind, për të ardhmen e tij, për familjen dhe për shoqërinë. Ai tregoi nevojën e hapjes të sa më shumë strukturave për trajtimin e autikëve, por edhe ngriti shqetësimin për kostot e larta që ka trajtimi i këtij çrregullimi.
2 Prilli është dita e përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për rritjen e ndërgjegjësimit rreth këtij çrregullimi neurologjik të trurit.