Dhjetra studentë të Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" ndoqën sot në Aula Magna në kampusin universitar, leksionin e hapur të neurokirurgut të njohur britanik e me gjerë në botë Henry Marsh. Ai ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh dhe mbajti për herë të parë një leksion të hapur me studentë që ofron më shumë dije për të rinjtë tanë të programeve të studimit të profilit mjekësor në Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë".
Profesor Marsh u prezantua në nisje të leksionit nga Dr. Mentor Petrela dhe nga Dr Anila Godo, të cilët ndoqën me interes këtë leksion të rrallë. Studentët drejtuan pyetje të shumta dhe morën përgjigje që u duartrokitën në Aula Magna, duke plotësuar njohuritë e tyre për fushën e neurokirurgjisë. Neurokirurgu i njohur edhe si shkrimtar dhe kolumnist për mediat më të mëdha botërore si Financial Times, The Economist, Guardian, Telegraph, Times, BBC dhe New York Times, është gjithashtu lektor i shquar në Universitete prestigjioze të Europës, SHBA-së, Kanadasë, Australisë dhe Azisë.
Profesor Henry Marsh është autor i trilogjisë ndër më të shiturat në botë me titujt ''Mos bëj dëm'', ''Pranimet'', ''Dhe së fundi'' të përkthyera në shqip nga Dr. Mentor Petrela dhe Florian Dashi.
Disa vite më parë neurokirurgu britanik realizoi në Tiranë një ndërhyrje kirurgjikale pioniere mbi një pacient pa narkozë, një kirurgji novatore e kryer në bashkëpunim me neurokirurgun shqiptar Mentor Petrela, një ngjarje për të cilën prestigjozja amerikane “The New York Times” i dedikoi një shkrim të posaçëm në 3 Janar të vitit 2016. Henry Marsh mban titullin mbretëror Komandant Kalorës i Perandorisë Britanike të dhënë nga Mbretëresha e ndjerë Elisabeta e II-të.