Punësimi i mjekëve shqiptarë në Europë është kthyer në një trend, vitet e fundit. Ndryshe nga ata që kanë dëshirën të kontribuojnë në sistemin shqiptar të shëndetësisë, pjesa tjetër e të diplomuarve në të gjitha fushat mjekësore shohin vendet e Bashkimit Europian si destinacionin e duhur. Por, cila është përparësia e mjekëve shqiptarë të diplomuar pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në krahasim me të diplomuarit e tjerë? Përgjigjen na e jep Gjergji Merja, i diplomuar në degën e Mjekësisë në vitin 2014, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Ai aktualisht punon në spitalin St. Vinzenz në qytetin Dinslaken, Gjermani, ku po kryen edhe specializimin në Psikiatri dhe Neurologji.
“Të diplomuarit në Universitetin Katolik ZKM, nuk e kryejnë provimin e mjekësisë kur vijnë në Gjermani, por vetëm testimin e gjuhës gjermane. Kjo falë diplomës europiane që merret në përfundim të studimeve – thotë Gjergji. Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe mendoj se ka qenë zgjedhja e duhur. Diploma dhe liçenca italiane që m’u mundësua pas mbarimit të studimeve në UKZKM, bëri realitet dhe më lehtësoi marrjen e liçencës gjermane të ushtrimit të profesionit të mjekut, thjesht duke kaluar testin e gjuhës mjekësore (fachsprachprüfung)”.
Së bashku me kolegen e tij, mjeken Marsela Ceno, Gjergji Merja ka themeluar më 16 shkurt 2019, Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, e regjistruar zyrtarisht në Regjistrin Juridik të Shoqatave Gjermane.
“Shoqata, ka detyrë kryesore t’u vijë në ndihmë mjekëve dhe infermierëve nga trevat shqiptare lidhur me proçeduarat e njehsimit të diplomës, ndihmë që të diplomuarve në Universitetin Katolik ZKM nuk u nevojitet. Gjithashtu ndajmë njohuritë dhe eksperiencën tonë me këdo që ka nevojë".
Sipas Dhomës Gjermane të Mjekëve (Bundesärztekammer), rreth 650 mjekë shqiptarë janë pajisur me liçencë gjermane të ushtrimit të profesionit.