×

Udhëtimi

Përgjatë punës time në universitet, përvojat që më kanë pëlqyer më shumë janë ato që zhvillohen jashtë auditoreve. Në këtë shkrim të shkurtër do të tregoj përvojën e fundit: një projekt në Përmet, nga 26 maj deri më 2 qershor të këtij viti, si pjesë e Seminarit Tematik “Shqipëria e Qytezave të Vogla”, kushtuar studentëve të diasporës shqiptare, të Universitetit të Firences.


Nga Antonio Lauria

Profesor, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara, UKZKM                                                                        

Përgjatë punës time në universitet, përvojat që më kanë pëlqyer më shumë janë ato që zhvillohen jashtë auditoreve. Në këtë shkrim të shkurtër do të tregoj përvojën e fundit: një projekt në Përmet, nga 26 maj deri më 2 qershor të këtij viti, si pjesë e Seminarit Tematik “Shqipëria e Qytezave të Vogla”, kushtuar studentëve të diasporës shqiptare, të Universitetit të Firences. Ky projekt formimi, është një prej nismave të projektit kërkimor “The Diaspora as a Resource for the Knowledge, Preservation and Enhancement of the Lesser Known Cultural Sites in Albania”, që po zhvillojmë në emër të Organizatës Ndërkombëtare të Migrantëve (IOM) pjesë e programit Engage the Albanian Diaspora to the Social and Economic Development of Albania, financuar nga Agjensia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), në Tiranë.

Organizimi ishte i lodhshëm, gjithashtu edhe problemet ishin të shumta, por më në fund u nisëm! Studentëve fiorentinë iu bashkuan katër studentët e mi nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Me mua janë tre kolegë: Francesco, Monica dhe Pietro. Ugo nuk mund të vinte për shkak të një problemi shëndetësor: mungesa e tij do të ndihet.

Takoj studentët fiorentinë dhe nisem menjëherë drejt aeroportit, në Piza. Katër prej tyre - Anissa, Faire, Judriva dhe Sezai - i njoh mirë: kanë qenë studentët e mi; të tjerët - Anisa, Elda, Jessy, Kristi dhe Tracy - i njoha me këtë rast: shikojmë njëri-tjetrin me kuriozitet dhe me pak siklet. Anisa, e cila vjen nga Departamenti i Historisë, Arkeologjisë, Gjeografisë, Artit, Spektaklit dhe Jessy, studente Erasmus nga Siegen, Gjermani, duken më pak të ambientuara nga të gjithë.

Midis tyre, disa nuk janë kthyer në Shqipëri prej vitesh.

Pas mbërritjes në Tiranë, i bashkohen grupit Elisa, Joana, Joni dhe Kristiana, nga Universiteti

Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Vendosën të marrin pjesë në këtë përvojë, sepse e konsiderojnë interesante. Kjo gjë, më bën shumë të lumtur; ndihem i vlerësuar. Në Tiranë bashkohet me ne Leonardo, një koleg. Puthje dhe përqafime, prezantime dhe më pas, fillojmë rrugën me minibus, në drejtim të Përmetit. Përgjatë rrugës, peisazhet ndryshojnë me shpejtësi. Dikush habitet nga sasia e madhe e lavazheve të makinave: arsyeja nuk është e lidhur me kujdesin që shqiptarët kanë ndaj makinave (i cili, për mendimin tim, ekziston), por nga pluhuri që ngrihet prej rrugëve të pashtruara, ende të shumta.

Arrijmë në Përmet dhe një tabelë shkruan se përveç detit, këtu ka gjithçka. Përmeti është i rrethuar nga një peisazh i bukur, i përshkuar nga lumi Vjosa; i njohur në Shqipëri për mikpritjen e banorëve. Këtu takojmë gjashtë studiuesit që po realizojnë një pjesë tjetër të studimit tonë: Arget, Dritan, Enis, Kamela, Migena dhe Valbona. Kanë kohë në Përmet dhe më tregojnë me entuziazëm, gjërat që kanë bërë dhe ato që planifikojnë të bëjnë. Pasdite, pas një dushi në hotelin Razim, jemi gati për takimin e parë në Qendrën Multifunksionale të qytetit, ku na mirëpresin Giorgio dhe bashkëpunëtorët e tij nga OJQ italiane CESVI, i cili do të na mbështesë në organizimin e inspektimeve. (Në fakt, bashkëpunimi i tyre ka qenë shumë më i gjerë. Ata na kanë ndihmuar në shumë raste).

Programi i punës është sfidues: duhet të rilevojmë me skaner lazeri dhe fotogrametri, tre monumente në tre fshatra në qarkun e Përmetit: Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Urën e Katiut në Bënjë dhe zona përreth Kishës së Shën Mërisë në Kosinë. Për fat të mirë mund të mbështetemi në ekspertizën e Francescos dhe Monicas, të cilët e njohin punën dhe dinë të ndërveprojnë me studentët. Paralelisht, Arget, Dritan dhe Enisi, të udhëhequr nga Pietro, duhet të analizojnë imtësisht ndërtesat për të zbuluar sekretet dhe të kuptojnë problemet e tyre.

Të nesërmen fillon puna. Kisha e Leusë, e rrethuar nga një peisazh përrallor, është e bukur dhe ka nevojë për kujdes. Ura e Katiut është e rrethuar nga një natyrë e paprekur, ku asgjë nuk mungon: pishina me ujëra termale, një kanion 4 km i gjatë, shpella prehistorike dhe, në sfond, një kornizë malesh ende të mbuluara me dëborë. Kisha e Kosinës është restauruar së fundmi dhe ka fasadë me një cloisonné shumë elegante. Pranë është shkolla e fshatit: kërkoj që ta vizitoj dhe më duket se po bëj një udhëtim në kohë. Njihem me Xhorxhin, mësuesin, i cili, duke më folur në shqip, më tregon jetën e tij dhe historinë e qytetit. Ai ka një komunikim të pabesueshëm dhe, për mua, që nuk më jepet për gjuhët e huaja, më ngjan sikur kuptova gjithçka. Ai më thotë se në oborrin e shkollës u varrosën ushtarët italianë të fushatës famëkeqe të Greqisë dhe më flet me admirim për një gjeneral italian, i cili erdhi për të zhvarrosur eshtrat për t’i çuar në atdhe. Më vjen në mendje “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë. Xhorxhi më tregon edhe për klarinetistin e madh Laver Bariu, i lindur në Përmet. Punojmë shumë dhe në mbrëmje jemi shumë të lodhur. Dmth, unë jam i lodhur, sepse grupi gjithmonë shpik një aktivitet: rafting në Vjosë, vallet tradicionale shqiptare, këngë iso-polifonike, larjen e natës në banjot termale pranë Urës së Katiut... I shikoj me admirim. Kolegët e mi nuk ngurrojnë të marrin pjesë në disa nga këto nisma.

Në darkë jemi në grupe të vogla, ashtu siç dëshirojnë të gjithë, dhe njohim më mirë njëri-tjetrin. Distancat shkurtohen dhe studentët janë të befasuar kur zbulojnë se edhe profesorët janë qenie njerëzore, me ndjenja e dëshira. Vëzhgoj grupin dhe më duket se ata të diasporës janë më të menduarit: të çrrënjosur nga vendi i tyre që prej fëmijërisë dhe u është dashur të përballen me sfida të vështira së bashku me prindërit e tyre, të cilat në disa raste kanë lënë plagë të thella që do të kenë nevojë për më tepër kohë për t’u shëruar. Të rinjtë e lindur dhe rritur në Shqipëri më duken më të qetë, me problemet “normale” të grupmoshës së tyre. Më pëlqen t’i shoh që bashkëveprojnë: duket sikur njihen prej kohësh me njëri-tjetrin.

Një mëngjes u zgjuam nga disa lëkundje tërmeti të lehta, të cilat ndjehen mirë në katet e larta të hotelit. E gjejmë veten në shkallët e jashtme, të përgjumur; flasim pak dhe pastaj kthehemi në shtrat. Tani është më e qartë përse shërbejnë nyjet e forta prej druri midis harqeve të kishës së Leusë. Ditët e fundit i janë kushtuar përpunimit të të dhënave: jemi pak të emocionuar kur Francesco na tregon në ekranin e PC-së së tij pamjet e para 3D të kishës së Leusë, ndaj së cilës jemi të gjithë dashamirës. Shoh Pietron të menduar dhe e pyes pse: ai më thotë që sistemi i rilevimit në pjesën e sipërme të kishës së Leusë nuk e bind, dhe se do të dëshironte të bënte një inspektim tjetër: nuk mund të kisha dëshiruar një bashkëpunëtor më të aftë dhe kërkues.

Jemi të gjithë për darkën e fundit: profesorë, studentë, studiues dhe studentë të CESVI. Jemi rreth tridhjetë. Gjatë dhe pas darkës, të rinjtë kërcejnë në sfondin e muzikës tradicionale shqiptare. Më pëlqen t’i shikoj: ata kanë hir të veçantë. Në një moment dal nga restoranti, ulem mbi një mur dhe pi një puro, duke parë dritat e Përmetit dhe qiellin me yje. Mendoj për një pafundësi gjërash, që nuk i mbaj mend tani. Kthehem në restorant dhe vallet janë të ndezura; shoh një numër të madh birrash që kalojnë nga bari në sallë... në një moment ndaloj numërimin e tyre.

Të nesërmen përgatis valixhen dhe në hollin e hotelit gjej shoferin që do të na çojë përsëri në Tiranë. Hamë mëngjes për herë të fundit dhe së bashku me një student, shkoj tek pronari i hotelit, për t’a falënderuar për mikpritjen e tij dhe për të kërkuar falje nëse kemi bërë pak rrëmujë. Ai është i mahnitur nga fjalët e mia dhe më thotë se, në 20 vitet e fundit nuk ka pasur klientë më të mirë. Ai është i mallëngjyer dhe më përqafon. Pastaj më fal disa kavanoza reçeli. Ne hipim në minibus, por askush nuk dëshiron të flasë. Të gjithë janë të menduar. Unë mendoj se kjo përvojë do të lërë një gjurmë të thellë tek secili prej nesh. Studentët kanë fituar aftësi, është e vërtetë, por kjo nuk më duket gjëja më e rëndësishme. Disa janë pajtuar me vendin e tyre, të tjerët janë bërë të vetëdijshëm për bukurinë e tij. Lindën miqësi të reja dhe miqësitë e tjera u konsoliduan. Unë mendoj se ndoshta do të kthehemi në Përmet, por nuk do të jetë e thjeshtë të rindërtohet atmosfera e kësaj jave.

Me të mbërritur në aeroportin e Tiranës, rrugët tona ndahen: ka nga ata që qëndrojnë në Shqipëri dhe nga ata që kthehen në Firence. Nuk ka pothuajse kohë për përshëndetje. Më mirë kështu. Nuk i duroj përshëndetjet e trishta.

Grupi i Punës i Seminarit Tematik

“Albania dei Piccoli Borghi”

Staf Unifi: Antonio Laurìa (team leader), Leonardo Chiesi, Pietro Matracchi, Ugo Tonietti, Monica Bercigli, Francesco Tioli

Studentët Unifi: Anissa Alushi, Sezai Celoaliaj, Judriva Davidhi, Faire Dervishi, Kristi Kokedhima, Anisa Lagji, Elda Meta, Tracy Qehajaj, Jessy Shehu

Studentë UKZKM: Kristiana Kumi, Joana Lamaj, Elisa Miho, Joni Zajmi


Na ndiqni