×

Kardinali Parolin bekon gurin e parë të spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, përuroi në Tiranë punimet e Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”, që po ndërtohet brenda kampusit universitar.


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, përuroi në Tiranë punimet e Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”, që po ndërtohet brenda kampusit universitar.

Kompleksi i ri dhe modern i Spitalit do të shërbejë si qendër diagnostikuese, mirëqenie dhe terapeutike, duke u kthyer në një pikë referimi për Shqipërinë. Punimet pritet të përfundojnë pas 18 muajsh dhe Shqipërisë do të pasurohet me të vetmen strukturë spitalore private, që do të ketë një qendër kërkimore të parametrave ndërkombëtarë.

Ceremonia e Bekimit të Gurit të Parë nga Kardinali Pietro Parolin u përcoll nga kreu i shtetit shqiptar, Shkëlqesia e Tij Ilir Meta, si dhe personalitete të rëndësishme në vend si përfaqësues të qeverisë, politikës, trupit diplomatik dhe botës akademike.

Në konferencën e organizuar me këtë rast, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, Presidentit të Republikës Ilir Meta, Rektorit të Universitetit, Prof. Bruno Giardina, të Kryeipeshkvit Metropolit të Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo, Eprorit të Përgjithshëm të Kongregatës “Bijtë e Zojës së Papërlyer”, Atë Michele Perniola, Nuncit Apostolik në Shqipëri Imzot Charles Brown, dhe të Zv.Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, kryetari i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, atë Daniele Bertoldi, prezantoi projektin e spitalit me vlerë 22 milion Euro.

Spitali lind si dëshirë e Nënë Terezës


Presidenti i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Atë Bertoldi theksoi se ideja e ndërtimit të Spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë” lindi 26 vjet më parë. Më prill të vitit 1993 misionarja shqiptare e bamirësisë garantoi kontratën e nënshkruar nga qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga zv.ministri i Shëndetësisë, Besim Nuri, dhe nga Kisha Katolike, e përfaqësuar nga nunci apostolik, më pas kardinali Ivan Dias.
 

Kardinali Pietro Parolin: Spitali, një bashkëpunim virtuoz midis publikes dhe privates.

Në përshëndetjen e tij, Kardinali Pietro Parolin kujtoi fjalët e Papës Françesk në vizitën së tij në Shqipëri, në shtator të vitit 2014. Shqipëria është “tokë heronjsh dhe martirësh”, pati thënë Ati i Shenjtë. Kardinali përcolli për të pranishmit përshëndetjen e përzemërt të Atit të Shenjtë dhe lutjet për popullin shqiptar.

Spitali, vijoi më tej Kardinali Parolin, është një bashkëpunim virtuoz midis institucioneve publike e atyre private; do të sigurojë respektimin e së drejtës universale për mbrojtjen e shëndetit edhe për njerëzit, që nuk kanë mundësi të mëdha financiare; do të ngrejë standartin cilësor të asistencës shëndetësore; do të krijojë mundësi punësimi e do ta lidh gjithnjë e më shumë sistemin shëndetësor shqiptar me atë Evropian.

Një vend të veçantë në fjalën e Sekretarit të Shtetit të Vatikani, zuri kujtimi i Nënë Terezës, ideatores së këtij spitali. Kardinali Parolin përmendi fjalët e Papës Françesk kushtuar “Lapsit të vogël në dorën e Zotit”, që gjithë jetën s’bëri tjetër, veçse të përkulej mbi plagët e njerëzimit, me mëshirë e dashuri, duke parë në fytyrën e çdo nevojtari, fytyrën e Krishtit. Nënë Teraza e Kalkutës, nënvizoi Kardinali, duhet të jetë modeli për t’u ndjekur nga mjekët e deri tek vullnetarët, që shërbejnë në spital, të cilët duhet të kujtohen se kanë përpara njeriun e jo vetëm të sëmurin.

“Jo shkenca, por dashuria e ka ndryshuar botën”, përfundoi kardinali Pietro Parolin.

Karakteristikat e spitalit

Në fazën e parë, në Spitalin “Zoja e Këshilli të Mirë” do të jenë funksionale: senologjia, ortopedia, oftalmologjia e kirurgjia e përgjithshme.

Në fazën e dytë, do të shtohen shtretërit, do të nisë punën kardiologjia, reparti i lindjeve, etj.

Ndërsa në fazën e tretë do të ngrihet Qendra e Ndihmës së Shpejtë apo Urgjenca.

Spitali “Zoja e Këshillit të Mirë” do të ofrojë shërbime shëndetësore me cilësi të lartë, si dhe do të funksionojë si Spital universitar në mbështetje të proçesit akademik e të punës kërkimore-shkencore të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.


Na ndiqni