×

Konferenca “PAKTI EDUKATIV GLOBAL DHE MISIONI I UNIVERSITETIT”

....


“Pakti Edukativ Global” nismë e Papa Françeskut është trajtuar në konferencën e organizuar nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar për Edukimin Katolik.

Atë Jerome Ndo Mih, President i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë dhe Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit në fjalën e tyre pohuan rëndësinë e madhe që ka një pakt i tillë për individin dhe edukimin.

“Është e domosdoshme që individi në identitetin e vet të kthehet në motorrin e vërtetë që i jep formë politikave edukative. Pakti edukativ global duhet të përqendrohet tek rivlerësimi i qenies njerëzore. Asnjë program nuk mund të jetë universal sepse duhet të merret parasysh konteksti politik, kulturor dhe socio-ekonomik. Punimet e konferencës gjatë këtyre dy ditëve i konsideroj si fillimin e një kontributi që Universiteti do të vazhdojë të implementojë në emër të Kishës në të mirë të rinisë shqiptare, të Ballkanit dhe të botës.” – u shpreh Atë Jerome Ndo Mih, Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë.

Rektori i Universitetit Katolik ZKM Prof. Bruno Giardina ndër të tjera, tha: “Pakti Edukativ Global është frymëzuar nga Papa Françesku i cili ka një dhunti të madhe: di të shprehë gjëra të rëndësishme dhe të vështira me thjeshtësinë më të madhe. Për këtë arsye ai arrin tek zemra dhe shpirti i njerëzve. Pakti Edukativ Global është një sfidë e kësaj epoke dhe një zhvillim inovativ për ato që Kisha ka patur gjithmonë përzemër: respektin, bashkëndarjen dhe empatinë.”

Sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, Sh.T. Imzot Vincenzo Zani tregon nga lindi nevoja e një Pakti Global për Edukimin”.

“Në një prej mesazheve të tij mbi Paktin Edukativ Global Papa Françesku pohon se po jetojmë një ndryshim epokal, një metamorfozë jo vetëm kulturore por edhe antropologjike. Në një kontekst të tillë nevojitet një aleancë e përgjithshme për t’u bërë ballë emergjencave të reja edukative, që eksperimentohen sot në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë akademik. Prandaj, çfarë është Pakti Edukativ?! Është mbi të gjitha, vëmendja e veçantë që Papa Françesku ka ndaj gjeneratave të reja.”

Konferenca vijoi me tryezë të rrumbullakët ku u diskutua roli i universitetit në procesin edukativ. Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është themeluar në vitin 2004 dhe është një nga nismat e para të arsimit privat në Shqipëri.


Na ndiqni