Në kuadër të programit Erasmus Plus (KA171) mobilitet për mësimdhënie, gjatë javës nga 5 deri më 9 maj 2025, Prof. Assoc. Malvina Hoxha realizoi një vizitë në Universitetin e Parmës, ku mbajti leksione me studentët e Fakultetit të Farmacisë dhe të Kursit të Kimisë dhe Teknologjisë Farmaceutike.
Gjatë vizitës së saj, Prof. Hoxha pati mundësinë të bisedonte me kolegët e Fakultetit, Prof. Ilaria Zanotti dhe Prof. Vigilio Ballabeni, me të cilët diskutoi rreth mundësive për bashkëpunime akademike dhe shkencore.
Gjatë qëndrimit të saj, Prof. Malvina Hoxha mbajti disa leksione mbi tema thelbësore për formimin e profesionistëve të ardhshëm të fushës. Ndër temat e trajtuara ishin: "Nga provat klinike tek farmakovigjilenca", "Acidet yndyrore esenciale dhe eikozanoidët" dhe "Analiza ekonomike e ndërhyrjeve shëndetësore: Zbatime të Inteligjencës Artificiale". Leksionet e saj u pritën me interes dhe pjesëmarrje të lartë, duke u ofruar studentëve një perspektivë multidisiplinare dhe të përditësuar mbi sfidat dhe inovacionet në fushën farmaceutike dhe të shëndetit publik.