Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë mblodhi miq e partnerë të shumtë më 28 janar për të kremtuar një ditë krenarie siç është përvjetori i 20-të i Fakultetit të Farmacisë në Universitetin Katolik të Tiranës. Ky moment që përfaqëson edhe një arritje të rëndësishme për botën universitare në Shqipëri u përshëndet me përgëzime nga të ftuar si Shkëlqesia e Tij Ambasadori Italian Marco Alberti, i nderuari Zv. Sekretari i Shtetit për Shëndetësinë në Republikën e Italisë Dr. Marcello Gemmato, Davide Rogai President i Konfindustrisë së Shqipërisë dhe Z. Dëfrim Goma President i Urdhrit të Farmacistëve. Të ftuarit u mikpritën nga fr. Ruggero Valentini Presidenti i Fondacionit ZKM, Rektori i UKZKM Prof. Leonardo Palombi dhe Dekani, Prof. Roberto Perrone. Dy dekada të Fakultetit të Farmacisë pranë UKZKM shënojnë edhe një moment me rëndësi të madhe për kujdesin shëndetësor sepse siç tha Presidenti Valentini në fund të fundit qëllimi është të mbrojmë dhe t’i shërbejmë jetës së njeriut siç dikur At’ Luigji Monti bënte duke hedhur hapat e parë të një farmacuetike modeste. Duke marrë fjalën në konferencë Ambasadori Alberti tha se Italia nuk është e famshme vetëm për ushqimin, modën, kulturën dhe artin, por është vendi i parë në tregun farmaceutik evropian dhe në kërkimin shkencor në këtë fushë. Ai përgëzoi inaugurimin e dy laboratorëve kërkimorë modernë të Fakultetit të Farmacisë në Kampusin ZKM duke marrë pjesë edhe në ceremoninë e prerjes së shiritit dhe bekimit të tyre nga Padre Paschal. Studentëve të Universitetit Katolik të Tiranës u shtohen të tjera hapësira studimore dhe eksperimentale siç janë laboratori i virologjisë qelizore dhe molekulare dhe laboratori i kimisë dhe analizave farmaceutike. Çfarë kremtojmë me këtë 20 vjetor nuk është thjesht angazhimi, përkushtimi, kërkimi farmaceutik dhe inovacioni, por edhe rritja e arsimimi i brezave të kualifikuar me standardet evropiane të të rinjve që sot shërbejnë në Shqipëri dhe Evropë. Ky është një udhëtim bashkëpunimesh të rëndësishme, fillimisht me Universitetin e Milanos pastaj me Universitetin e Barit. Disa nga profesionistët e talentuar që u diplomuan në UKZKM u bënë pjesë e ceremonive festive në kampusin tonë. Të rinjtë që studiuan në UKZKM përfaqësojnë profesionistë kompetentë dhe të apasionuar që janë të gatshëm për të kontribuar në përparimin e shkencës dhe kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe më gjerë.