Prof. Raul Caruso, Drejtor i CESPIC (Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim) në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është vlerësuar me çmimin “Manas Chatterji Global Scholarship” për kontributin e rëndësishëm në avancimin e kërkimit shkencor mbi paqen në nivel global.
Çmimi u akordua nga Shoqëria e Shkencës së Paqes (Ndërkombëtare) që promovon studimin mbi shkaqet e konfliktit midis dhe brenda shteteve, zgjidhjen e konflikteve dhe promovimin e paqes së qëndrueshme. Kjo shoqatë u krijua në Malmo të Suedisë në vitin 1963 nga një grup studiuesish, për t’u zgjeruar më pas në të gjithë botën.
Qendra CESPIC e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizon çdo vit “Summer School”. Kjo shkollë verore synon të formojë studentë mbi bazat shkencore rreth rrënjëve të luftës, paqes dhe çështjeve të ndërtimit të paqes.