×

Arkitektura e Klasicizmit Socialist në Shqipëri (1945-1960)

Konferenca u organizua nga Qendra Kërkimore e Arkitekturës Mesdhetare nën kujdesin e Alessandro Rinaldi, Kamela Guza dhe Federico Marcomini. Synimi i saj ishte të hidhte dritë mbi prodhimin arkitektonik në Shqipërinë e periudhës pesëmbëdhjetë vjeçare 1945-1960, në të cilën ashtu si në vendet e tjera të Bllokut Socialist, mbizotëronte respektimi i formulave të gjuhës klasike.


Në dekadat e fundit, historiografia italiane i është përkushtuar me sukses kërkimeve mbi arkitekturën dhe urbanizmin e Shqipërisë gjatë pushtimit Fashist, ndërkohë që në vitet e fundit ka pasur një ringjallje të interesit për kthesën moderniste të viteve 1960, veçanërisht nga studiuesit shqiptarë. Prodhimi arkitektonik midis këtyre dy fazave, pra në periudhën pesëmbëdhjetë vjeçare, nga shpallja e Republikës deri në prishjen e marrëdhënieve midis Hoxhës dhe Hrushovit, është injoruar për dy arsye: nga njëra anë, nga përzierja e ideologjisë së regjimit dhe nga ana tjetër, nga respektimi i një profili arkitekturor klasicist të konsideruar të vjetëruar dhe jo të denjë për të pasur vëmendje. Konferenca u përpoq të tregonte se, në të kundërtën e asaj që thuhet zakonisht, arkitektura shqiptare e kësaj periudhe vjen me një zë origjinal në kuadrin e orientimit të përgjithshëm neoklasik të kulturave arkitekturore të të gjitha vendeve të Bllokut Lindor.

Konferenca ishte e nivelit ndërkombëtar dhe u zhvillua si me prezencë fizike të të pranishmëve ashtu dhe me prezencë nga distanca (online).  

Gjysma e parë e ditës së parë iu kushtua bisedave historiko-teorike më të përgjithshme, të zhvilluara nga historianë të njohur të arkitekturës italiane si Alessandro Rinaldi, Ezio Godoli dhe Mario Bevilacqua; në gjysmën e dytë, bisedat u zhvilluan edhe nga studiues të njohur shqiptarë si historiani Elidor Mëhilli dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, të dy shumë aktivë në skenën kulturore shqiptare. Momenti përmbyllës iu kushtua analizës së disa objekteve klasiciste shqiptare dhe pati gjithashtu një përfshirje të studentëve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara.  

Gjatë ditës së dytë, studiues dhe arkitektë shqiptarë si Gjergji Islami, Armand Vokshi, Dritan Kapo trajtuan disa çështje lidhur me krahasimin midis viteve të pushtimit Italian dhe arkitekturës së Realizmit Socialist, si në vitet e fazës klasiciste, ashtu edhe të kthesës racionaliste pas viteve 60. Një kontribut interesant në lidhje me transformimin e peizazhit rural gjatë regjimit të Hoxhës, u dha nga Federica Pompejano dhe Elena Londo, si nga pikëpamja arkitekturore ashtu edhe antropologjike. Bisedimet e fundit iu kushtuan realiteteve të tjera bashkëkohore dhe historike si Kazakistani (Federico Marcomini) dhe Armenia (Tigran Haratyunian).

Konferenca ishte një mundësi e mirë për të nisur një debat konstruktiv për marrëdhëniet midis historisë dhe arkitekturës, ideologjisë dhe arkitekturës, si nga pikëpamja e formave arkitekturore ashtu edhe nga ajo e proceseve të ndërtimit. Fokusi kryesor ishte gjuha klasike e arkitekturës. Kjo është një çështje që ende shkakton diskutime shumë frytdhënëse jo vetëm për të kaluarën e arkitekturës, por edhe për të ardhmen e saj. Konteksti shqiptar ofron mjaft raste studimore të cilat nga pikëpamja historike ia vlejnë të hulumtohen. Konferenca ishte vetëm një pikënisje e një debati që shpresojmë se do të sjellë interes të mëtejshëm tek studiuesit dhe studentët.


Na ndiqni