Përfundoi sot rrugëtimi universitar për studenten e talentuar të programit të studimit në Arkitekturë Julia Demiraj. Ajo paraqiti përpara komisionit të diplomimit një temë dhe studim mbreslënës, të titulluar “Muret e vjetër të Durrësit, një projekt për një qendër studimi arkeologjik në pellgun e Mesdheut”, për të cilën u vlerësua me notë maksimale. Julia Demiraj bëhet kështu e diplomuara e parë në programin e studimit Master i Shkencave në Arkitekturë i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Programi i studimit në Arkitekturë zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e studimeve të Firences.
Diplomimi i parë u hap me fjalën përshendetese të Prof. Bruno Giardina, Rektori i Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" dhe nga Prof. Giuseppe De Luca, Drejtori i Departamentit të Arkitekturës së Universitetit të Studimeve të Firences. Emocionuese ishte pjesëmarrja e Ministres së Kulturës Elva Margariti, e cila ndau emocionet lidhur me ish studentët e saj të Arkitekturës, duke i përgëzuar që kanë zgjedhur të studiojnë dhe të përqafojnë realitetit shqiptar të profesionistëve të rinj.
Ky event, që u zhvillua online u ndoq me interes nga një audiencë e gjerë në Shqipëri dhe Itali.