Falë bashkëpunimit të sukseshëm që po zhvillohet në kuadër të projektit “Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe përfitimet e rehabilitimit me hidroterapi tek fëmijet me paralizë cerebrale infantile” të financuar nga Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI) dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, si dhe të udhëhequr nga Prof. Asoc. Malvina Hoxha dhe Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku nga institucioni partner, më 25 nëntor 2024 u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi midis Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Përfaqësueset e Universitetit Katolik “ Zoja e Këshillit të Mirë” u pritën në ambientet e rektoratit të Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë nga Zëvëndës Rektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr Nazli Tyfekçi, dhe Zëvëndës Rektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri.
Marrëveshja reflekton përkushtimin e të dy universiteteve për të zgjeruar horizontet dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë. Të dy universitetet synojnë të kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe shkencës përmes ndarjes së përvojave dhe ekspertizës. Marrëveshja, synon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore, si dhe organizimin e projekteve kërkimore e konferencave.
Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.