Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Malit, datë 11 dhjetor 2024, në Aula Magna, ora 15:30 të Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” do të organizohet një takim i posaçëm nga Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë.
Dita Ndërkombëtare 11 dhjetor që shënon në të gjithë botën një reflektim për pasuritë natyrore, sjell në vëmendje edhe relievin unik të Shqipërisë; një vend me dete dhe me shumë male.
Në këtë takim që organizohet në UKZKM do të jenë bashkë të apasionuarit e natyrës, alpinizmit, dashamirës dhe ekspertë të mbrojtjes së mjedisit, Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini, autoritete politike dhe zbatuese, përfaqësues të Institutit Italian të Kulturës, guida profesionale të zonave malore, studentë etj.
Gjatë takimit do të prezantohet edhe një libër shumë i veçantë që rivjen për publikun pas një periudhe të gjatë kohe. “Malet e Shqipërisë” një botim i vitit 1941 i autorit Piero Ghiglione do të risillet në këtë ditë ndërkombëtare gjatë këtij organizimi të veçantë.
Ky libër përfaqëson një botim të çmuar për vështrimin letrar dhe frymëzues të maleve shqiprare, duke qenë në të njëjtën kohë një botim me vlera historike.