Në më shumë se 20 vite UKZKM është kthyer në djepin e burimeve njerëzore të kualifikuara sipas standardeve dhe praktikave më të mira evropiane dhe jo vetëm. Sot ju tregojmë se gjatë gjithë vitit akademik studentët e vitit të 6-të të Odontoiatrisë dhe Protezës Dentare kryejnë një praktikë të thelluar klinike mbi pacientët, e cila u jep mundësinë të përgatiten në mënyrë optimale për të ardhmen e tyre si mjekë stomatologë. Kjo fazë e formimit profesional u mundëson studentëve të zbatojnë në praktikë të gjitha njohuritë e fituara fillimisht në mënyrë teorike duke zhvilluar kompetencat klinike, sigurinë dhe aftësitë e nevojshme për të ofruar kujdes cilësor ndaj pacientëve. E gjitha kjo realizohet nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e vazhdueshme të pedagogëve përkatës.