Projekti i studentëve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara është realizuar në kuadër të lëndës “Projektim Hapësirash për Ekspozim”, me temë shndërrimin e ish-Kinostudios në një park arti, një hapësirë kushtuar kulturës, iniciativë e Ministrisë së Kulturës.
Projekti i studentëve do të prezantohet më gjerësisht gjatë seminarit të titulluar “Shpalosim Shqipërinë. Propozime të projekteve për ekspozime në ambientet e ish – Kinostudios”. Takimi virtual do të zhvillohet sot, më 01 Shkurt 2021, në orën 17:00.
Nga Elisa Miho, Klea Neli, Megi Ballanca, Joana Lamaj.
Programi i Studimit në Arkitekturë, UKZKM
"Odë më odë" 1 është një ekspozitë kushtuar artit, e cila shfrytëzon rastin për t’u përqendruar në shtëpitë tradicionale shqiptare. Projekti ndjek konfigurimin funksional të katit të dytë të Casa Babameto, në Gjirokastër. Në këtë kat ndodhet oda2 më e bukur e shtëpisë. Hapësira brenda ndërtesës së Ministrisë së Kulturës është e ndarë në faqe që ndjekin lëvizjen rrjedhëse të këtyre Oda-ve.
Arkitektura bëhet elementi që formon skenën fikse, por edhe ndryshuese dhe pjesëmarrëse në kulturën/jetën e shoqërisë. Hapësirat e brendshme janë ndërtuar nga shirita druri me prerje 8x8 cm. Fytyrat e trupave gjeometrikë përcaktohen nga brezat e pëlhurave gjysmë transparente të fiksuara vertikalisht nga lart në shiritin e poshtëm. Pëlhura dhe shiritat prej druri kujtojnë traditën e vjetër të tezgjahut të endjes. Shiritat e pëlhurave ndërthuren vertikalisht me dy shirita prej druri dhe shfaqen të endura në kanavacën tradicionale. Ekspozita synon të krijojë një përvojë njohjeje, duke sjellë disa përbërës tradicionalë në sallën e ekspozimit. Dhoma shndërrohet në një vend sinteze midis banesës dhe zanateve të vjetra mjeshtërore.
1. "Nga dhoma në dhomë", një shprehje në gjuhën e përditshme
2. Dhoma, dhoma gjumi: oda dhe miqve, dhoma gjumi për mysafirë