×

Konferenca Shkencore “Gjendja e të moshuarve në Ballkan dhe Evropën Lindore: Sfidat dhe Mundësitë"

Sot në Aula Magna në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u zhvillua konferenca shkencore me temë “Gjendja e të moshuarve në Ballkan dhe Evropën Lindore: Sfidat dhe Mundësitë”.


Në Aula “Magna” në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u zhvillua konferenca shkencore me temë “Gjendja e të moshuarve në Ballkan dhe Evropën Lindore: Sfidat dhe Mundësitë”.

Konferenca u organizua nën kujdesin e Rektorit të Universitetit Katolik Prof. Leonardo Palombi dhe Akademisë Romake të Shëndetit Publik dhe mikpriti autoritete lokale dhe qëndrore të Republikës së Shqipërisë, të agjensive shtetërore italiane, të universitetit partner “Tor Vergata” të Romës dhe bashkoi ekspertë të njohur vendas e të huaj në fushën e mjekësisë, kërkimeve shkencore, sociale, të të dhënave demografike, deputetë të Parlamentit të Shqipërisë studente etj.

Konferencën e përshëndeti në hapje Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini, i cili tha se ky takim ndërkombëtar që zhvillohet në UKZKM është kontribut për të mbështetur konkretisht moshën e tretë. Fr. Ruggero Valentini tha se për shkak të zhvillimit të shoqërive tona sot prindërit e moshuar ndihen të braktisur dhe kjo mbetet një sfidë për t’u kapërcyer.

Monsinjor Vincenzo Paglia tha se ishte i lumtur që ëndrra e tij po bëhej realitet. “Kur u vu guri i themelit të këtij universiteti, tha Monsinjor Paglia, dëshiroja që ky institucion të bëhej një pikë bashkimi për Evropën Lindore dhe Ballkanin. Sot kjo ëndërr po bëhet realitet dhe e vetmja perspektivë që duhet të shohim është Evropa e bashkuar.

Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” tregoi në prezantimet e tij shkencore studime të hollësishme me të dhëna që tregojnë se duhet të lehtësohen shërbimet shëndetësore në sektorin e shëndetit publik për të moshuarit, sidomos edhe për ata që kanë vështirësi fizike. Duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm të univeriteteve, mund të bashkohen edhe projektet kërkimore bashkë me Akademinë Romake të Shëndetit Publik.

Në konferencë u përshëndetën posaçërisht të ftuarit që erdhën nga shumë vende Ballkanike dhe të Evropës Lindore, duke e kthyer këtë takim në Tiranë si një motor të përbashkët kërkimi dhe zhvillimi.

Në emër të Ambasadorit Italian përshëndeti Drejtoresha e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Zj. Stefania Vizzaccaro, e cila vlerësoi mundësitë që ofron kjo konferencë ndërkombëtar për të krijuar hapësira komunikimi e bashkëpunimi për moshën e tretë.

Eurodeputeti Marco Tarquinio që ndoqi një pjesë të konferencës tha se sheh me kënaqësi hapat e marra nga Shqipëria për integrimin në BE. Duke vlerësuar temën e konferencës ai përshëndeti kujdesin ndaj moshës së tretë.

Në konferencë folën Zv. ministrja e Shëndetësisë Denada Seferi, drejtore e përgjithshme e Istitutit të Shëndetit Publik Dr. Eugena Tomini, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, të cilët treguan se autoritetet shqiptare po rrisin vigjilencën ndaj nevojave të moshës së tretë duke krijuar mekanizma mbrojtjeje për ta.

Konferenca analizoi në panele të ndryshme kushtet aktuale dhe nevojën për ndryshime në sistemet e kujdesit shëndetësor të Shqipërisë, Ballkanit dhe të gjithë Evropës Lindore. Gjithashtu u prezantua Karta për të drejtat e të moshuarve dhe e detyrave të komunitetit për mbrojtjen e tyre nga paragjykimet dhe përjashtimet.

Të pranishmit u përshëndetën për pjesëmarrjen edhe me tingujt e kompozitprëve shqiptarë, të luajtur nga violonistja e talentuar Lirza Zaloshnja.

Takimi u drejtua dhe moderua nga Dr. Fabian Cenko, i cili bashkërendoi veprimtarinë e dendur të këtij takimi ndërkombëtar.


Na ndiqni