Për herë të parë në Shqipëri u organizua Konferenca shkencore me temë “Le conseguenze dei Cambiamenti Climatici sui Mari e sulla Salute Umana”. Konferenca u zhvillua në Aula Magna në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë si inisiativë e Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe UKZKM në kuadrin e Enciklikës “Laudato Si” të Papa Françeskut.
Punimet e konferencës i hapi Zv.Rektori i Universitetit Prof. Edmond Hajdëri, i cili tha në adresimin e tij se kjo Konferencë duke trajtuar në mënyrë të integruar pasojat e ndryshimeve klimatike në dete dhe në shëndetin e njeriut, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme gjithashtu për kërkimin shkencor në Shqipëri.
Të pranishmit e shumtë u përshëndetën nga Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr.Ruggero Valentini, i cili tha se shumë vende bëjnë përpjekje për të zvogëluar pasojat e ndryshimeve klimatike, ndaj sipas tij është e rëndësishme që brezi i ri duhet të jetë më i vëmendshëm për shëndetin dhe planetin.
Konferenca shkencore bashkoi ekspertë të nieleve të larta evropiane, të cilët dhanë një pasqyrë shumëplanëshe të situatës së pasojave të ndryshimeve klimatike në mjedisin detar dhe influencën e tyre në shëndetin e njeriut, shoqëruar me informacione dhe ilustrime të dobishme dhe tepër interesante.
Konferencën e ndoqi Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, e cila tha se ndihej e emocionuar dhe e mbresuar nga vizita në UKZKM. Ministrja Denaj tha se gjeti në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” një dimension evropian dhe tepër modern të jetës studentore, duke vlerësuar kontributin që jep kjo konferencë ndërkombëtare shkencore në ndërgjegjësimin e të gjithëve për ndryshimet klimatike. Të njëjtin vlerësim ndau edhe Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mjekja Entela Ramosaçaj, e cila tha se gjatë 50 viteve të fundit kemi prova që aktiviteti njerëzor ka ndikuar në ngrohjen e ujërave të deteve dhe oqeaneve.
Konferenca u organizua në bashkëpunim me - Università degli Studi di Roma Tor Vergata
- Consorzio Nazionale Interuniversitario di Scienze del Mare (CoNISMa)
- Società Italiana di Biologia Marina (S.I.B.M.)
- Istituto Dermopatico dell’Immacolata, Roma
- IDI Farmaceutici, Pomezia