Vajzat dhe gratë, si gjysma më e mirë e shoqërise tonë. Në ditën ndërkombëtare të triumfit të të drejtave të tyre në shumë vende të botës, Universiteti Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" bëhet një zë i fuqishëm në mbështetje të tyre. Këtë moment domethënës për të gjitha gratë e vajzat, universiteti do ta nderojë me një takim kulturor ku do të ndërthuren refleksionet e zonjave të shquara përballë një audience masive. Në të gjitha kohët rritja e rolit të gruas në shoqëri ka qenë vendimtar. Tek gruaja bashkohet jeta, familja, shoqëria dhe e ardhmja. Në audiencën e organizuar në Sallën Magna shkëmbehen përvoja dhe shembuj për gruan mes familjes dhe karrierës.
Gruaja që lind jetën është po ashtu novatore në zhillimin dhe edukimin e brezave të rinj, ndaj dita ndërkombëtare e 8 Marsit është nje rast i mirë për të mbështetur mendimin kritik mbi fuqizimin e grave e vajzave, një ngjarje që e përforcon më së miri edhe takimi në ambientet e Uniersitetit tonë.
Kjo nuk është hera e parë qe flasim për gratë e vajzat. Në gjithë rrethin akademik dhe studentor të Universitetit ato kanë një peshë të madhe që konsiderohet përherë garanci e suksesit të të gjithëve.
Përballë audiencës në sallë përshëndet Presidenti i Fondazionit fr.Ruggero Valentini. Ndërsa disa zonja të nderuara ndanë me ne historitë e tyre që tregojnë qëndresën e grave përballë sfidave të jetës. Të tilla janë historitë e suksesit të profesoreshave Malvina Hoxha, kirurges Inida Ruli, letrares Mimoza Agastra. Audiencën e përshëndetën edhe zërat melodiozë të korit pranë Fondazionit.
Do të trokasim gotat me njëra-tjetrën sikur të jemi të gjitha gratë e Tiranës, Shqipërisë e botës së bashku.
Ndërsa gëzojmë, ne e kthejmë kokën drejt atyre që kanë nevojë për mbështetjen tonë. Është më shumë se domethënëse qe në këtë 8 Mars të kontribuojmë modestisht edhe financiarisht për zonja që janë në vështirësi. Fondet e mbledhura shkojnë për gratë në nevojë që këtë 8 mars janë mes nesh, në sallën Magna, në bashkëpunim edhe me shoqatën “Linja e këshillimit për gra dhe vajza të dhunuara”.
Të ndihmojmë të tjerët, t'i buzëqeshim jetës! Ky slogan ushqen unitetin mes grave që së bashku në këtë ditë të shënuar, mund të përparojnë më shumë veten dhe të gjithë shoqërinë.