Në kuadër të aktiviteteve të projektit “Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe benefitet e rehabilitimit me hidroterapi tek fëmijët me paralizë cerebrale infantile”, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe zhvilluar si pjesë e bashkëpunimit dy-palësh ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit dhe shkencës, më 21 nëntor 2025, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, u organizua leksioni i hapur me titull “Elementët e Neuromodulimit në Paralizën Cerebrale Infantile: Horizonte të reja”, i mbajtur nga Prof. Stefano Mugnaini.
Leksioni trajtoi në mënyrë të thelluar bazat neurofiziologjike të neuromodulimit, duke përfshirë modifikimet e eksitabilitetit kortikal, neuroplasticitetin e induktuar nga aktiviteti sinaptik, mekanizmat e hebbian dhe anti-hebbian të forcimit dhe zbehjes sinaptike, modalitetet bashkëkohore të neuromodulimit jo-invaziv, si stimulimi magnetik transkranial (TMS), stimulimi transkranial me rrymë të drejtpërdrejtë (tDCS) dhe protokollet e avancuara të stimulimit anodik/katodik për modulimin selektiv të korteksit motor primar.
Ky aktivitet kontribuoi në forcimin e praktikave bashkëkohore në menaxhimin multidisiplinar të paralizës cerebrale infantile.