×

ERASMUS PLUS – Tregimi i Giulias

Unë jam Giulia Dajçi, studente e vitit të tretë, në programin e studimit në Fizioterapi. Kur dëgjova se Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” jepte mundësinë për të marrë pjesë në projektin Erasmus +, nuk u mendova dy herë dhe vendosa menjëherë të përfitoja nga kjo eksperiencë.


Përshëndetje,

Unë jam Giulia Dajçi, studente e vitit të tretë, në programin e studimit në Fizioterapi. Kur dëgjova se Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” jepte mundësinë për të marrë pjesë në projektin Erasmus +, nuk u mendova dy herë dhe vendosa menjëherë të përfitoja nga kjo eksperiencë. A doni të dini se si shkoi?

Epo ja, shkova në një nga qytetet më të bukura në Itali, një qytet i njohur për historinë, arkitekturën, kulturën dhe natyrisht, edhe për evolucionin e kërkimit mjekësor. Unë shkova në Verona, në një nga spitalet më të njohur në të gjithë Veneton, Spitalin Borgo Roma. Si mund ta përshkruaj, u ndjeva si një milingonë në atë spital gjigant. Një milingonë që do të zbulonte një botë të re. Një botë e re, jo vetëm në profesionin tim të ardhshëm si fizioterapiste, por një mënyrë të re jetese, duke parë çdo ditë, realitetin e vështirë të pacientëve të shtruar. Kalova nga librat tek pacientët, dhe aty, mund të kuptoni punën tuaj të vërtetë, rëndësinë që keni në jetën e pacientit. Unë kam pasur fatin e madh të kaloj dy muaj në një Qendër Kërkimore Neuromotorike dhe Rehabilitimi Konjitiv, dhe ju them se kam parë aq shumë patologji, sa nuk kam imagjinuar të shoh në tërë jetën time, imagjinoni në vetëm gjashtëdhjetë ditë. E gjithë kjo, falë kolegëve që gjithmonë më shtynin më tej. Ata e ndihmuan atë milingonë të rritet ngadalë, çdo ditë dhe për këtë, do t’u jem mirënjohëse për tërë jetën time. Më pyesni nëse ia vlen ta provoni? Ishte një përvojë e bukur që më bëri të kuptoja, se çfarë doja të bëja vërtet në të ardhmen time, më bëri të kuptoj si të arsyetoj, të punoj dhe të menaxhoj, atë që do të jetë profesioni im. Pra PO, ia vlen!


Na ndiqni