Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u zhvilluan punimet dyditore të konferencës me temë "Politika energjetike e BE-së në perspektivën e zgjerimit në rajonin e Ballkanit".
Në emër të drejtuesve të UKZKM të ftuarit i përshëndeti Dekani i Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit Katolik Prof. Vittorio Teotonico, i cili tha në hapje të konferencës se tema e energjisë që diskutohet në këtë takim është çështje jetike e zhillimit ekonomik në Europë dhe Ballkan. Dekani tha se jetojmë në një botë më të vogël nga pikëpamja politike që mund të krijojë hapësira për më shumë bashkëpunim mes vendeve. Duhet të kujdesemi të gjithë për të ardhmen ekonomike dhe energjetike, tha Prof. Teotonico, jo në mënyrë të veçuar; sepse kjo mund të sjellë kosto dhe të papritura. Sipas tij energjia nuk është temë diskutimi vetëm e vendeve të zhvilluara, por edhe atyre në zhvillim apo të varfra.
Konferenca bashkon lektorë të njohur, profesorë, ekspertë të energjisë, ekonomisë dhe mjedisit, duke ndihmuar në krijimin e një takimi multidisiplinor ndërkombëtar që ofron një panoramë të gjerë të kësaj teme delikate.
Të ftuarit ndanë përvoja studimore mbi këtë temë, duke nënvizuar shpesh se bota sot është e ndjeshme ndaj çështkeve të energjisë dhe burimeve të saj.
Krizat sipas folësve kanë sjellë në vëmendje nevojën për një sistem të qëndrueshëm energjetik.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian përcakton një shtrirje progresive të zbatimit të ligjit dhe politikave të Unionit te shtetet e reja anëtare. Megjithatë ky zbatim nuk është as i menjëhershëm dhe as i plotë. Dallimet ekonomike, sociale dhe ligjore midis shteteve të reja anëtare dhe atyre ekzistuese çojnë në planifikimin për anëtarësim dhe në përfshirjen e "klauzolave mbrojtëse" në aktet përkatëse në mënyrë që të merret parasysh ngarkesa dhe vështirësitë që hasin shtetet e reja anëtare për t’u përshtatur me standardet normative evropiane në fuqi.
I gjithë ky proces ka rëndësi të veçantë sidomos në lidhje me politikën energjetike të BE-së.
Objektivi i konferencës është pikërisht të kuptojë nëse kjo politikë ka ndikim tek shtetet kandidate për anëtarësim në BE me vështrim krysisht ndaj vendeve të Ballkanit.