Prezantimi i librit të titulluar "Kultura e zhvillimit të qëndrueshëm për komunitetet gjithëpërfshirëse: mjetet metodologjike për vizione të reja” bashkoi në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Aula Magna ekspertë, profesorë dhe studentë, duke dhënë një kontribut të shtuar në njohjen e studimeve të reja të kësaj fushe. Në nisje të këtij takimi Rektori i UKZKM Prof. Leonardo Palombi pasi mirëpriti miqtë dhe të ftuarit tha se përse është e rëndësishme të flasim sot për këtë botim. Sipas Rektorit Palombi sekreti qëndron tek mbajtja e Evropës të qëndrueshme, në harmoni me vlerat njerëzore dhe zhvillimore dhe ky libër ofron pikërisht një këvndvështrim që pasuron njohuritë tona. Në shekujt e kaluar, por edhe tani, tha Prof. Palombi Evropa ka kaluar ngjarje të forta, të cilat kanë patur ndikimin e tyre edhe në botë. Në një sfond të ndryshimeve të forta demokgrafike që kanë ndodhur, vëren Rektori Palombi, rritet ekonomia dhe teknologjia dhe dalin në pah panorama të ndryshme që lidhen me gjeopolitikën. Ky libër hedh idetë sesi mund t'i shohim qytetet e të ardhmes, duke përqafuar atë model që Evropa ofron sot, bashkëjetesën.
Nënkryetari i bashkisë së Tiranës z. Andi Seferi tha se libri është një botim i çmuar që shërben si guidë edhe për drejtuesit e qeverisjes vendore, duke na ndihmuar, tha ai, të kuptojmë më shumë për një zhvillim urban të qëndrueshëm.
Zv. Rektori i UKZKM Prof. Edmond Hajdëri tha se është i gëzuar që Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” bëhet promovues i një botimi të tillë që ofron shumë njohuri për sfidën e zhillimit të qëndrueshëm. UKZKM, tha Prof. Hajdëri, është një universitet multidisiplinor që ofron kërkimin shkencor dhe ky botim është një ftesë për kërkuesit e rinj që të gjejnë metoda të reja profesionale në punën e tyre. Zv Rektori Hajdëri solli në vëmendje fjalët e Atit të Shenjtë Papa Françeskut për rolin e zhillimit të qëndrueshëm klimatik, urban e njerëzor. Sipas Prof. Hajdërit ky libër u shërben njerëzve që merren me komuinitetet dhe zhillimin tërësor të tyre, por edhe studentëve sepse ata duhet të kenë parasysh interesin publik dhe ndërtimin e projekteve që ndihmojnë dhe nuk krijojnë konflikte.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale në UKZKM Prof. Vittorio Teotonico ndau me audiencën eksperiencën e njohjes së tij me një nga botuesit e këtij libri, professor Uricchion, duke vlerësuar qartësinë e tij në idetë e hedhura në libër.
Profesor Antonio Felice Uricchio që mban detyrën e Presidentit të Agjencisë Kombëtare italiane të Vlerësimit të Sistemit Universitar dhe Kërkimit Shkencor (ANVUR) dhe ish-Rektor i Universitetit të Studimeve të Barit “Aldo Moro”, pasi falenderoi drejtuesit e UKZKM për këtë promovim, tha se tema e qëndrueshmërisë është temë e përfshirjes së familjeve, qyteteve, komuniteteve duke dhënë një vizion të qartë të të ardhmes. Të rinjtë dhe kultura, tha ai, luajnë një rol të rëndësishëm, ndaj duke respektuar të drejtat e natyrës, marrim më të mirën për një të ardhme të qëndrueshme. Ky botim është një eksplorim i guximshëm i pasojave të pjesëmarrjes dhe kujdesit ndaj komuniteteve, të mirave që sjell trashëgimia kulturore dhe natyrore dhe ndikimit që ka në komunitet zhvillimi i territorit. Takimi u përshëndet edhe nga Prof. Mario Aulenta, Profesor i Asociuar i të Drejtës Tatimore në Universitetin e Studimeve të Barit “Aldo Moro”.