Ditët e fundit të leksioneve në Programin e studimit në Ekonomi Ndërmarrjeje u pasuruan edhe më shumë nga përvoja ndërkombëtare e profesoreshave Adriana Paliwoda-Matiolańska dhe Malgorzata Miśniakiewicz, të cilat ishin në lëvizje për mësimdhënie javën e kaluar nga Universiteti Ekonomik i Krakovës në kuadër të programit Erasmus+.
Prof. Miśniakiewicz mbajti leksion mbi New Product Development – from the concept to the marketplace. Design Thinking in the practice. Objektivi ishte identifikimi i kufizimeve më të rëndësishme për një NPD efektive duke përdorur metodën Design Thinking me elementet e punës në ekip, brainstorming dhe metodën ABCD për të zhvilluar dhe treguar zgjidhjet më të mira për problemin e analizuar nga këndvështrimi i studentëve.
Prof. Paliwoda-Matiolańska mbajti leksion mbi Përgjegjësinë Sociale të Korporatës në Biznesin Ndërkombëtar dhe studentët ishin në gjendje të mësonin për marrëdhëniet shkakore ndërmjet përgjegjësisë sociale të kompanisë dhe aktivitetit ekonomik në një perspektivë globale dhe në kontekste të ndryshme kulturore. Përveç kësaj, studentët analizuan në mënyrë kritike aktivitetin ekonomik dhe ndikimin e tij në mjedisin social dhe natyror, si dhe aftësinë për të zbatuar pjesërisht ose plotësisht qëllimet sociale dhe ekologjike në sipërmarrje.