×

Letër për studentët e rinj të regjistruar në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë, Viti akademik 2023/2024

Kam kënaqësisë t’ju uroj mirëseardhjen në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë për vitin tuaj të parë në këtë Universitet. Mirë se vini në këtë moment historik të rëndësishëm në jetën tuaj! Së bashku do të kalojmë një pjesë të rëndësishme të jetës sonë, në fund të fundit, edhe unë jam student i vitit të parë, edhe pse shumë më i vjetër se ju!


Të dashur studentë,

Kam kënaqësi tju uroj mirëseardhjen në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë për vitin tuaj të parë në këtë Universitet. Mirë se vini në këtë moment historik të rëndësishëm në jetën tuaj! Së bashku do të kalojmë një pjesë të rëndësishme të jetës sonë, në fund të fundit, edhe unë jam student i vitit të parë, edhe pse shumë më i vjetër se ju! E kisha fjalën për një pjesë të rëndësishme të jetës, atë që do t'ju çojë në profesionin tuaj dhe do t’ju përcjellë për në tregun e punës. Nuk është një moment i parëndësishëm, përkundrazi. Për këtë arsye është mirë të pyesim veten për kuptimin e kësaj rruge dhe çfarë duhet të presim.

Për t’u njohur më mirë: ky është për momentin i vetmi universitet jashtë vendit në gjuhën italiane, me profesorë italianë jep titullin e përbashkët për të gjitha programet e studimit, të vlefshëm në Itali dhe Evropë. Është një mrekulli e vogël: Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer na e propozoi neve profesorëve të një universiteti publik të Romës, Universitetit Tor Vergata, dhe Universitetit Aldo Moro të Barit, për të krijuar programe studimi, së pari në mjekësi, ekonomi dhe më pas në farmaci dhe arkitekturë, me Universitetin e Firences. Rreth 500 pedagogë italianë kanë ardhur dhe i kanë dhënë jetë këtij universiti që prej 20 vitesh tashmë. Ata janë lidhur ngushtë me të, kanë ndihmuar brezat e shqiptarëve dhe italianëve të rriten, shumë prej të cilëve janë pjesë e ekipit që do t'ju shoqërojë në rrugëtimin tuaj. Por më duhet të falënderoj edhe pedagogët e shumtë, të rinjtë dhe anëtarët shqiptarë të ekipit, që kanë dhënë dhe japin një kontribut themelor. Pa kontributin e tyre asgjë nuk do të ishte e mundur. Jemi shumë krenarë për këtë punë. E krijuam, po thosha, me kontributin themelor të Kongregatës së Bijve të Zojës së Papërlyer. Themeluesi i tyre Atë Monti e kuptoi rëndësinë e kujdesit për të sëmurët dhe për të rinjtë dhe u dha shumë ndjekësve të tij këtë mision të bukur, kaq të përshtatshëm dhe të dobishëm në kohën tonë.

Tani edhe ju jeni pjesë e kësaj historie, po i bashkoheni një rruge rritjeje, siç i ka hije çdo universiteti. Meqë ra fjala, çfarë do të thotë universitet? Termi ka lindur në mesjetë dhe do të thotë një bashkësi, një tërësi, një universus: universiteti ishte komuniteti i qytetarëve, ose i profesioneve të caktuara, të cilët ruanin njohuritë e tyre brenda këtyre grumbullimeve. Universiteti i librashitësve dhe tregtarëve; universiteti bujqësor, universiteti i fermerëve për shfrytëzimin kolektiv të tokës. Dua të them se në rrënjë, që në fillimet e tij, Universiteti ka përfaqësuar një komunitet. Të mjeshtërve dhe dishepujve, të artizanëve, të njerëzve që ndanin një kulturë dhe një kërkim. Edhe ju jeni dhe do të jeni të zhytur në një komunitet dhe unë do të doja që ju ta përjetoni këtë kampus si ky, një vend jete shoqërore, sigurisht studimi, por edhe kërkimi, përvojash të përbashkëta, shkëmbimi. Të përkushtimit social.

Ne nuk jemi këtu vetëm për një copë letër. Jo për të dribluar provime të mëdha e të vogla. Jo vetëm për të bërë teori. Përkundrazi, në këtë komunitet jeni të mirëpritur që të mund të vazhdoni të ndërtoni veten si njerëz. Ne, pedagogët, i gjithë stafi, do të jemi përkrah jush, të vetëdijshëm se së bashku kemi një mision dhe një vizion: të ndërtojmë njerëzit tanë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ndërtuar në të njëjtën kohë një komunitet të kujdesit dhe kulturës, të hapur, gjithëpërfshirës, të përkushtuar dhe mbështetës. Po ju lë me shprehjen më të mirë të këtij konstruksioni që na ofroi shenjtori i madh, Papa Gjon Pali II: “merreni jetën tuaj dhe bëjeni atë një kryevepër”.

Në këtë kuptim dhe në këtë drejtim, ne përpiqemi vazhdimisht të përmirësojmë veten duke ju ofruar edhe një kulturë në një kuptim më të gjerë se ajo që lidhet me programin e studimit që keni zgjedhur. Disa nisma që dua t'ju njoftoj në këtë kuptim:

  • Hapja e programit të studimit master i shkencave në Mjekësi edhe në gjuhën angleze. Në thelb do të keni mundësinë të zgjidhni linjën me gjuhën tuaj të preferuar, italisht ose anglisht. Nesër do të keni mundësinë të diskutoni se si ta bëni këtë zgjedhje të rëndësishme. Ju kujtoj vetëm se diploma që do të merrni përfaqëson edhe një certifikatë njohjeje të gjuhës së caktuar.
  • Krijimi i një kursi ndërfakultetesh, në baza mujore, për të gjithë ju që jeni të regjistruar në vitin e parë: do të ftojmë relatorë të kualifikuar që të flasin me ju për problemet e mëdha të botës moderne. Ato nuk do të jenë thjesht konferenca: ne do t'ju japim të gjithëve mundësinë për të krijuar grupe interesi, iniciativa kulturore dhe kërkimore, veprime vullnetare, për angazhime dhe njohuri.
  • Krijimi i CREI, Qendra Burimore për Ekologjinë Integrale. Për çfarë bëhet fjalë? Është një lëvizje studentore, së cilës mund t'i bashkohesh lirisht për t'i dhënë jetë nismave të përkushtimit, përgjegjësisë sociale, studimit shkencor e kulturor. Qëllimi është thjesht të kontribuojmë për ta bërë botën një vend më të mirë: ekologjia integrale merret jo vetëm me mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit fizik dhe biologjik, por edhe me kujdesin për njeriun përmes luftës kundër varfërisë, pabarazive, paqes dhe dialogut, për mbrojtjen e grupeve dhe pakicave vulnerabël.

Të dashur studentë, ne jetojmë në një botë të vështirë, të shënuar nga luftëra dhe rreziqe. Tundimi është të mendoni vetëm për veten tuaj, të mbroni ekzistencën tuaj dhe të shmangni marramendjen e problemeve të mëdha. Megjithatë, dua t'ju them se nuk jeni vetëm. Ju jeni në një komunitet të madh studimi dhe veprimi. E përsëris, së bashku ne mund ta bëjmë botën një vend më të mirë. Por si? Ju lë me një përshëndetje dhe një urim: merrni në dorë jetën tuaj dhe bëjeni atë një kryevepër: një kryevepër e kulturës dhe e aftësisë për t'u lidhur, e përkushtimit dhe e mirësjelljes, e disiplinës dhe e imagjinatës, e interesit për të tjerët dhe jo konkurrencës. Ne jemi këtu për këtë dhe punojmë së bashku për këtë mision të madh.

Tiranë, 16 tetor 2023

Rektori
Prof. Leonardo Palombi


Na ndiqni