Duke ju uruar mirëseardhjen në Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" dua së pari t’ju përgëzoj ju dhe familjet tuaja për këtë moment të rëndësishëm që keni arritur.
Mirë se erdhët! Regjistrimi në universitet shënon një moment të rëndësishëm në jetën tuaj, një pikëmbërritje, por mbi të gjitha edhe një pikënisje jo vetëm për formimin tuaj profesional por edhe zhvillimin tuaj personal. Unë, së bashku me të gjithë stafin akademik dhe administrativ jemi në dispozicionin tuaj dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi, jo vetëm për t’ju ofruar formimin e nevojshëm teknik e shkencor, por edhe atë njerëzor që sot më shumë se kurrë është kaq i domosdoshëm për t’u përballur me sfidat që na sjell bota moderne.
Fundja, universitetet nuk janë thjesht vende të mësimnxënies, por edhe "institucione paqeje" ku kërkimi shkencor, shkëmbimi kulturor dhe dialogu kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më solidare, sipas mësimeve të Papës Leon XIV.
Shpresoj që ta jetoni Universitetin për atë që gjithmonë duhet të jetë: një komunitet “universal” pedagogësh dhe studentësh ku kultura kultivohet mbi të gjitha si një interes i thellë dhe pasionant për botën dhe problemet e saj, për artin e profesionit dhe për kërkimin shkencor. Jini gjithmonë të gatshëm të mësoni, të dëgjoni dhe të vëzhgoni dhe mos ta bëni këtë gjë vetëm por së bashku.
Kjo mënyrë jetese nënkupton të jeni mendjehapur, kuriozë dhe të përulur. Të punoni “së bashku” do t’ju mësojë rëndësinë e bashkëpunimit, dialogut dhe pasurimit të ndërsjellë.
Ky është thesari i vërtetë i universitetit që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës.