×

Monitorimi Strukturor i Teatrit të Akademisë së Arteve Tiranë: Teknologji Inovative për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare

Sot për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë është një ditë premtuese sepse në një nga godinat më të bukura dhe historike të Tiranës, siç është Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve, është zbatuar projekti inovator i monitorimit me një sistem të teknologjisë më të përparuar.


Sot për trashëgiminë historike dhe kulturore të Shqipërisë është një ditë premtuese sepse në një nga godinat më të bukura dhe historike të Tiranës, siç është Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve, është zbatuar projekti inovator i monitorimit me një sistem të teknologjisë më të përparuar.

Për herë të parë në Shqipëri Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” sjell një inisiativë që mbështet dhe mbron trashëgiminë e vendit në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qeveritare, me Universitetin e Firences, me sipërmarrjen siç është Tecnopolo d’Abruzzo dhe me partnerët teknikë si Palmerini SCT, West Aquila Srl, Comitech Srl dhe MGAD Design. Kjo ngjarje mblodhi në Sallën e Madhe të Koncerteve në Universitetin e Arteve drejtues dhe përfaqësues të universiteteve, ministrive të linjës, deputetë të parlamentit evropian, arkitektë, diplomatë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Ngjarja me titull “Monitorimi Strukturor i Teatrit të Akademisë së Arteve Tiranë: Teknologji Inovative për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” u prezantua me disa panele gjatë të cilave folësit sollën vlerësime, ide, njohuri dhe përvoja të vyera. I moderuar nga koordinatorja e projektit PhD. Ark. Andia Guga takimi masiv ngjalli interes në secilën prej pjesëve të planifikuara. Fillimisht Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini pasi falenderoi miqtë dhe të ftuarit e shumtë që u bënë pjesë e prezantimit të këtij projekti të madh bëri një panoramë të aktiviteteve të Fondacionit ZKM në Shqipëri që prej ditës së parë pas viteve ’90, duke hedhur vështrimin tek ky projekt që tregon qartë dimensionin evropian dhe akademik të UKZKM dhe aftësitë e burimeve të tij njerëzore që janë prej disa dekadash pjesë e zhvillimit në Shqipëri. Presidenti përgëzoi të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt ambicioz që do të monitorojë për dy vjet strukturën e sallës së madhe të koncerteve të Universitetit të Arteve.

Vetë Rektori i UA Erald Bakalli vlerësoi zbatimin e kësaj inisiative në këtë universitet që përfaqëson shpirtin krijues dhe historinë kulturore të Shqipërisë.

Duke sjellë në rrjeshtat e parë të përshëndetjes së tij urimet për projektin Zv. Rektori i UKZKM Prof. Edmond Hajdëri tha se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për UKZKM në disa këndvështrime. Projekti jo vetëm ruan trashëgiminë historike dhe kulturore por po ashtu bashkon për herë të parë me sukses në partneritet modern institucionet shtetërore, botën akademike dhe botën e sipërmarrjes. Ky bashkepunim, tha Z. Hajdëri, është në vazhdën e planit të zhvillimit akademik që është rritur në mënyrë graduale vit pas viti në UKZKM duke përfaqësuar një model ekselence të bashkëpunimit edhe mes Shqipërisë dhe Italisë.

Duke e cilësuar projektin sukses drejtuesit e UKZKM risollën në vëmendje faktin se ky është angazhimi i parë i këtyre përmasave që përkon edhe me dhjetë vjetorin e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara pranë Universitetit Katolik.

Deputeti italian Luciano D’Alfonso që erdhi nga Italia enkas për këtë ngjarje sa kulturore aq edhe shkencore tha gjatë aktivitetit sesi teknika përparon dhe sesi legjislacioni mund të vijë në ndihmë që t'i bëjë të prekshme projekte të tilla duke përgëzuar Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” për këtë arritje që kontribuon sipas tij në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Ndërsa Sekretari i Parë për Shkollat dhe Universitetet në Ambasadën Italiane në Tiranë Sergio Alias tha se ishte i mbresuar nga ky projekt monitorimi që zbatohet jo vetëm për herë të parë në Shqipëri, por është një model i shkëlqyer për të mbrojtur trashëgiminë e gjithë vendit. Diplomati italian tha se bashkë me këtë ngjarje duhet theksuar edhe fakti se kjo inisiativë vjen nga universiteti UKZKM që shënon një histori suksesi duke përdorur tëknologjinë në këtë bashkëpunim disa palësh.

Teatri i Akademisë u projektua në vitet ‘30 të shekullit të kaluar nga arkitekti fiorentin Gherardo Bosio. Mbrojtja dhe ruajtja e kësaj godine kërkon një qasje shkencore, teknologjike dhe multidisiplinare ndaj inisiativa e prezantuar në këtë takim bashkoi kaq shumë pjesëmarrës. Në godinë është instaluar një sistem i monitorimit strukturor i quajtur SHM Board, me teknologji të përparuar të zbulimit, analizës dhe parandalimit të riskut. Kjo nismë kërkimore dhe zhvillimore me kohëzgjatje 24-mujore është bashkëfinancuar nga AKKSHI (Agjencia Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion në Shqipëri) dhe Tecnopolo d’Abruzzo.

Duke përdorur sensorë të fjalës së fundit të teknologjisë dhe algoritme inteligjente të patentuara për të parandaluar alarmet false, sistemi i instaluar do të jetë në gjendje të zbulojë çdo shenjë të stresit strukturor, dridhjeve anormale ose përkeqësimit progresiv të ndërtesës në kohë reale. Kjo do të lejojë jo vetëm ndërhyrjen në kohë, por edhe zhvillimin e një protokolli parashikues mirëmbajtjeje që mund të aplikohet për ndërtesa të tjera historike të Shqipërisë. Të dhënat e mbledhura do t’u vihen në dispozicion komunitetit akademik dhe shkencor, si dhe institucioneve lokale dhe profesionistëve të fushës.

Qëllimi i projektuesve të kësaj inisiative është të nxisin një kulturë të re parandalimi ku teknologjia nuk zëvendëson ndjeshmërinë ndaj trashëgimisë, por përkundrazi e rrit atë me mjete konkrete.


Na ndiqni