Të martën, më 24 tetor 2023, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe stafi mjekësor specialist i Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë organizuan ditën e përvitshme kushtuar fushatës për parandalimin e kancerit të gjirit, e njohur ndryshe edhe si “Tetori Rozë”. Tema për këtë vit ishte "Pacienti në qendër. Ndikimi i ekipit multidisiplinar në trajtimin e kancerit të gjirit".
Krahas parandalimit, objektivi i takimit ishte nxjerrja në pah e një realiteti të ri në komunitetin tonë, i cili shkon përtej diagnozës, pra trajtimit dhe kurimit. Një grup profesionistësh nga fusha të ndryshme mjekësore që bashkëpunojnë për të ofruar trajtimin më efektiv për këta pacientë ka një ndikim të rëndësishëm në mbijetesën e pacientit, siç tregojnë studime të shumta.
Tema kryesore e takimit ishte si të trajtohet pacienti në të gjitha fazat e terapisë, në kompleksitetin e tij, dhe jo thjesht si "bartës i një sëmundjeje". Pjesëmarrësit diskutuan modelin e marrjes së trajtimit nga një ekip specialistësh si dhe treguan përvojat e tyre personale.
“Nëse shëron një sëmundje, fiton ose humbet, por nëse trajton një person, të garantoj se fiton, fiton gjithmonë, pavarësisht nga rezultati i terapisë”.
Patch Adams