×

Post COVID-19. Shmangia e një «krize të përgjithshme e shekullit XXI»

Emergjenca shëndetësore e ndikuar nga pandemia do të jetë nën kontroll në muajt e ardhshëm, por tashmë është e sigurt që do të ketë një recesion të thellë global.


Nga Prof. Raul Caruso

Emergjenca shëndetësore e ndikuar nga pandemia do të jetë nën kontroll në muajt e ardhshëm, por tashmë është e sigurt që do të ketë një recesion të thellë global. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka parashkuar një tkurrje në tregtinë botërore midis 13% (skenar optimist) dhe 32% (skenar pesimist)[1]. Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) ka parashikuar që investimet e drejtpërdrejta nga ndërmarrjet shumëkombëshe mund të ngadalësohen me rreth 30% në dy vitet e ardhshme[2]. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka vlerësuar se në tremujorin e dytë të vitit 2020, 6.7% e orëve të punës në nivel global do të kenë humbur, pasi 81% e fuqisë punëtore në nivel global është subjekt i bllokimeve ose kufizimeve të pjesshme[3]. Në ditët në vijim, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të botojë raportin World Economic Outlook me parashikime në lidhje me ekonominë botërore, por është e sigurt që PBB do të pësojë një tkurrje dhe në shumë vende kjo tkurrje mund të tejkalojë 10%.

Në të vërtetë, recesioni do të jetë i vështirë dhe i përhapur. Pyetja që duhet të shtrojmë është nëse do të rishkruhen ‘rregullat e lojës’ të sistemit që ne njohim, domethënë nëse një nga fazat më të mëdha të stanjacionit ekonomik të shekujve të fundit do të sjellë me vete një ristrukturim të sistemeve aktuale politike. Precedenti historik që duhet të shmanget është ai i "krizës së përgjithshme të shekullit të XVII-të". Në gjysmën e parë të shekullit të XVII-të, vala e dytë pandemike e murtajës, në fakt, u shoqërua me një ristrukturim të thellë të sistemeve politike dhe ekonomike. Për analizimin e asaj periudhe historike, shpesh merret për referencë eseja e famshme evitit 1954[4] e Hobsbawm, në të cilën historiani anglez paraqiti elementët që karakterizuan krizën e madhe, që shënoi fillimin e kalimit nga feudalizmi në kapitalizëm dhe lindjen e një sistemi të ri politik ndërkombëtar pas paqes së Vestfalisë e vitit 1648[5], që i dha fund Luftës 30 vjeçare. Hobsbawm identifikoi në një kornizë të vetme disa elementë kryesorë në krizën e madhe dhe saktësisht: (i) stanjacionin e tregtisë në nivel global; (ii) demografia në rënie; (iii) grumbullimi i disa konflikteve dhe revolucioneve të dhunshme. Këtyre mund t’u shtojmë disa aspekte jo të papërfillshme të studiuara më pas në thellësi nga historianë të tjerë dhe shkencëtarë shoqërorë dhe saktësisht (iv) kriza e thellë financiare e vendit hegjemonik[6], (v)rënia e çmimeve në tregtinë ndërkombëtare dhe normave të interesit, (vi) proceset e ndryshimit të klimës.

Fatkeqësisht të njëjtët elementë janë të pranishëm edhe sot. Aktualisht, nëse ndryshimi i klimës dhe ngadalësimi demografik janë tendenca afatgjata, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për konfliktet e dhunshme dhe ngadalësimin e ekonomisë globale, të cilat janë përshpejtuar që nga kriza e madhe financiare e vitit 2008. Prandaj, sipas këtij interpretimi, recesioni global, që do të pasojë pandeminë Covid-19, është i lidhur me krizën e madhe financiare të vitit 2008, e do të shfaqet si një i vetëm dhe afatgjatë. Rreziku është pikërisht ai i një «krizë të përgjithshme të shekullit XXI-të». Në këtë rast, pasoja është se ne duhet të presim jo vetëm recesionin më të rëndë të shekujve të fundit, me një kolaps të paimagjinueshëm të kapacitetit prodhues dhe një rritje si asnjëherë më parë të varfërisë dhe pabarazisë globale, por edhe përmbysje të rendit politik ekzistues.

Në fakt, menjëherë pas krizës së madhe të vitit 2008, rendi ndërkombëtar liberal filloi të tregojë shenja të rrënimit strukturor. Shoku ekonomik në të vërtetë vuri nën presion qeveritë në të gjithë botën, duke favorizuar kthimin e proçeseve të 'mbylljes' ekonomike dhe përkeqësimit të demokracisë. Në vitet pas  2008-ës, në sferën ekonomike, ne jemi dëshmitarë të kthimit të proteksionizmit, të 'luftërave' tregtare  dhe krizës së institucioneve globale, në veçanti të OBT-së. Në kuadrin politik, ne kemi parë një përhapje të autoritarizmit konkret dhe të legjitimuar, që edhe pse me ngadalë ka legjitimuar, në disa raste, përmes mekanizmave plebishitarë, kthimin në të kaluarën përsa i takon të drejtave dhe lirive themelore.

Rasti më i habitshëm është ndoshta ai i Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, por lista është me të vërtetë e gjatë dhe përfshin ndër të tjera Bolsonaron në Brazil, Rodrigo Duterten në Filipine, Orbanin në Hungari. Nga pikëpamja e dhunës si akt i përgjithësuar, kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit të konflikteve (Libia, Jemeni dhe Siria mbi të gjitha) të cilat, përveçse vërtetojnë pamundësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një ekuilibër, kanë gjeneruar tragjedi humanitare të panjohura më parë nga madhësia. Kriza pas pandemisë COVID-19, për fat të keq, mund të përforcojë këto procese tashmë në zhvillim e sipër.

Javët e fundit po ndodh një mbyllje e mëtejshme ekonomike e vendeve. Për shkak të emergjencës shëndetësore, shumë vende në botë kanë filluar të vendosin kufizime në tregti dhe jo vetëm në lëvizjet e njerëzve. Demokracia në shumë vende po përballet me kundërshtitë dhe shtrembërimet e saj. Rastet më të njohura janë ato të 'fuqive të plota' të marra nga Orban në Hungari dhe Janez Janša në Slloveni - në zemër të Evropës.

Asnjë zonë gjeografike e botës nuk do të ishte imune nga një «krizë e përgjithshme e shekullit XXI». Në veçanti, vendet që sot janë më të zhvilluara dhe demokratike do të shihnin jo vetëm një shembje të standardeve ekonomike, por edhe të lirive të tyre civile. Me shumë mundësi, ata që do të paguanin  çmimin më të lartë nga tronditjet negative në sferën ekonomike dhe për pasojë, hapa pas të demokracisë, do të jenë ndoshta ekonomitë në zhvillim, vendet në tranzicion dhe vendet në zhvillim, ku demokracia dhe zhvillimi në shumë raste janë në nivele më të ulta.

Prandaj është e nevojshme të mendohet për një strategji të gjerë shpëtimi, e cila bazohet jo vetëm në masa ekonomike, por edhe në një 'rishkrim' të rregullave që udhëzojnë sjelljen e shteteve në kontekstin global dhe jo vetëm sipas këndvështrimit ekonomik. Që nga problemet e rendit liberal ndërkombëtar, tashmë është e qartë se receta e shpëtimit në baza kombëtare, e financuar me borxhin publik, dhe e mbështetur nga injeksione të likuiditetit në një nivel global –sado e nevojshme dhe efektive - në disa raste nuk ka funksionuar plotësisht. Ky gabim, i bashkëndarë nga shumë politikë-bërës, në të vërtetë u konsiderua se shpëtimi i ekonomive ishte më i rëndësishëm sesa shpëtimi i institucioneve me rregulla dhe të drejta të përbashkëta. Edhe në këtë rast, është e gabuar të besosh se nga kjo periudhë historike do të kalohet vetëm me politika monetare lehtësuese të koordinuara, politika të zgjedhurara fiskale dhe mbështetje të të ardhurave kombëtare. Nuk është e mundur të shpëtohen sistemet ekonomike pa shpëtuar  edhe demokracinë. Në këtë rast është e dobishme të kujtojmë leksionin e fituesit të çmimit Nobel Douglass C. North "[...] Zhvillimi i institucioneve që krijojnë një mjedis të favorshëm për zgjidhje bashkëpunuese,në një kontekst kompleks shkëmbimi, është baza e rritjes ekonomike[…][7]”. Në të vërtetë, shpëtimi i demokracisë dhe i institucioneve ndërkombëtare, në të cilat bashkëpunimi merr formë konkrete, duhet të jetë detyrë kategorike ekësaj fazë dramatike.

Prandaj është thelbësore që të rifillojë menjëherë dialogu dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, në mënyrë që strukturat ekonomike dhe politike që njohim, të mos përmbysen dhunshëm në rajone të ndryshme të botës. Asnjë qeveri nuk mund të mendojë 'se ja del e vetme'. Në nivel global, duhet të nisë rivitalizimi, para së gjithash institucionet siç janë OKB dhe OBT, të vetmet organizata të qeverisura mbi baza demokratike, në të cilat vendet - megjithëse të pabarabarta në aspektin e fuqisë dhe ndikimit - kanë mundësinë të gjejnë organizma dhe institucione për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Përgjatë viteve, në veçanti, është nënvlerësuar rëndësia në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të OBT-së, e cila mund të luajë një rol vendimtar në të ardhmen. Ne duhet të frenojmë sa më shumë që të jetë e mundur ngadalësimin e tregtisë, kthimin tek proteksionizmi dhe këputjen e zinxhirëve të vlerave globale. Kjo është arsyeja pse OBT do të bëhet organizata mbi të cilën do të përqëndrohen përpjekjet në vitet e ardhshme.

Në muajt e ardhshëm,me urgjencë maksimale gjithashtu,do të jetë e nevojshme të reformohet qeverisja dhe praktikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të nxitur pjesëmarrje më të madhe të ekonomive në zhvillim, dhe më pas të modifikohen ndjeshëm të drejtat specifike për tërheqje fondesh[8] dhe mbi të gjitha kriteret kushtëzuese, proçes i kritikuar ndër vite për ndikimnegativ në pabarazinë, shëndetin dhe të drejtat e njeriut, por që tani rrezikon të jetë përfundimisht kundërproduktiv, pse jo shkatërrimtar. Vetë Fondi do të duhet të jetë në gjendje të luajë një rol shtesë, përkatësisht atë të koordinatorit për kontrolle efektive të kapitalit me qëllim, të minimizojë daljen e kapitalit nga vendet më të varfëra dhe paqëndrueshmërinë në tregjet financiare.

Ekziston gjithashtu një nevojë urgjente për koordinim global të stabilizimit të çmimeve në gjithë botën, veçanërisht për commodity dhe mallrat bujqësore. Luhatja e tepërt në çmimet e mallrave ka efekte negative për tregjet, prodhuesit dhe konsumatorët. Nga ana e prodhimit, një qëndrueshmëri e madhe  e  çmimeve nxit investimet, akumulimin e kapitalit, ruan nivelet e punësimit dhe rrit prodhimin. Nga pikpamja e konsumatorit, qëndrueshmëria më e madhe e çmimeve shërben për të shmangur rënien vertikale të fuqisë blerëse tek shtresat më të varfëra të popullsisë. Për më tepër, lëvizjet e papritura të çmimeve, në shumë raste shkaktojnë fenomene dhune në zona dhe vende të bllokuara në një spirale varfërie.

Demokracitë perëndimore që kanë akoma burime dhe aftësi institucionale për t'i dhënë formë këtyre proceseve, duhet të jenë protagonistët e këtij proçesi shpëtimi kompleks. Por, për t'i dhënë një trajtë të besueshme bashkëpunimit dhe për t’i dhënë kuptim masave ekonomike, qeveritë së pari duhet të ulen në një tryezë për të ndaluar konfliktet e vazhdueshme të armatosura, duke gjetur zgjidhje për armëpushim e duke bllokuar furnizimin e tyre me armë. Bota nuk mund të mbështesë më tragjeditë humanitare në vazhdimësi. Nuk ishte rastësi që më 10 Prill, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se pandemia COVID-19 paraqet një kërcënim për paqen dhe sigurinë[9]. Për shembull në Shtator 2014, nën të njëjtën optikë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri rezolutën 2177 mbi përhapjen e virusit Ebola, duke pranuar se problemi nuk ishte vetëm shëndetësor, por përkundrazi kishte të bënte me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Bashkëpunimi politik në fronte të vështira, siç është ai i konfliktit të armatosur dhe kriza e refugjatëve, do të jetë rruga kryesore për një bashkëpunim më efektiv ekonomik. Në këtë kuptim, përvoja e vendeve të Ballkanit javët e fundit është domethënëse. Pas disa muajsh bisedimesh dhe ndërmjetësimi, më 25 mars Këshilli Evropian më në fund hapi rrugën çeljes së negociatat për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Më 27 Mars, Maqedonia e Veriut u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s dhe sëfundmi, më 10 Prill, këshilli i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një financim urgjent për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ekziston një lidhje midis këtyre momenteve institucionale, në dukje të pavarura, dhe kjo ështëpjesëmarrja e bashkësisë ndërkombëtare me rregulla dhe të drejta të përbashkëta. Rezistenca dhe ringjallja ekonomike do të kalojnë nëpër këto rrugë. Një «krizë e përgjithshme e shekullit XXI» mund të shmanget vetëm përmes rivendosjes së institucionet globale në ndjekjen e një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar, që synon paqen, e cila ka qenë gjithmonë faktori më i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për shoqëritë.

 

[1]Trade forecast press conference, remarks by DG Azevedo. https://www.wto.org/english/news_e/spra_e/spra303_e.htm

[2] Investment Trend Monitor, Impact of the COVID-19 Pandemic on Global FDI and GVCs, marzo 2020,  https://unctad.org/en/PublicationsLibrary/diaeiainf2020d3_en.pdf

[3]ILO: COVID-19 causes devastating losses in working hours and employment https://www.ilo.org/global/about-the-ilo/newsroom/news/WCMS_740893/lang--en/index.htm

[4]Hobsbawm E.J., (1954), The General crisis of the European Economy in the 17th century, Past & Present, 5, pp. 33-53.

[5]La pace di Vestfalia pose fine alle Guerra dei Trenta anni (1618-1648)

[6] La monarchia spagnola visse numerosi dissesti finanziari tra il XVI e XVII secolo e precisamente negli anni: 1557, 1575, 1596, 1607, 1627, 1647 e in particolare tra il 1619 e il 1623.

[7] Dalla prefazione di North D.C. (1990) Istituzioni, cambiamento istituzionale, evoluzione dell’economia, ed. italiana 1994, Il Mulino, Bologna.

[8] I diritti speciali di prelievo, Special drawing rights (SDR) del FMI, creati nel 1969, corrispondono all’unità di conto del FMI e costituiscono in caso di necessità delle riserve globali di liquidità si veda https://www.imf.org/en/About/Factsheets/Sheets/2016/08/01/14/51/Special-Drawing-Right-SDR

[9] Si veda https://news.un.org/en/story/2020/04/1061502

Na ndiqni