×

Çelet për herë të parë në Shqipëri “Kopshti i të Drejtëve”

Ky është “Kopshti i të Drejtëve” hapësira më e re në Kompleksin Spitalor- Universitar “Zoja e Këshillit të Mirë”.


Kjo hapësirë është e para e llojit të saj në Shqipëri dhe do të shërbejë si pikë referimi, reflektimi, çlodhjeje e meditimi për studentët, pedagogët, miqtë e shumtë të institucionit tonë, pacientët dhe familjarët e tyre. Kopshti u konceptua si një hapësirë e gjelbër  në mesin e të cilit janë vendosur gurë mermeri të mbledhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Në një nga gurët e kopshtit u gdhend emri i “Të Drejtit”  të pare Carlo Urbani, mjeku që sinjalizoi përhapjen e virusit Sars Cov-1 në vitin 2002. Motivi për vendosjen e emrit të mjekut të ndjerë Carlo Urbani është se tregoi kompetenca dhe përgjegjësi në misionet e tij humanitare të pakufishme, të cilave ia përkushtoi edhe jetën. Mjeku i ndjerë Carlo Urbani humbi jetën nga virusi në moshën 47-vjeçare.  Gjatë ceremonisë së hapjes së “Kopshtit të të Drejtëve”  Presidenti i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” fr. Ruggero Valentini tregoi rëndësinë që i kushtohet në këtë hapësirë universitare nderimit të njerëzve që frymëzojnë dhe edukojnë brezat e rinj. Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” prof. Leonardo Palombi ftoi studentët ta vizitojnë këtë hapësirë kreative dhe motivuese. E pranishme në këtë ceremoni nënkryetarja e Bashkisë  Znj. Frida Pashako përgëzoi Universitetin për inisiativën novatore të ndërtimit të këtij kopshti . Ndërsa Arqipeshkvi i Dioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës Monsinjor Arjan Dodaj, pasi e bekoi “Kopshtin e të Drejtëve” tha se kjo hapësirë duhet të na kujtojë gjithmonë sakrificat për të mbrojtur jetën njerëzore. 


Na ndiqni