Në jetën tuaj duhet të keni dëgjuar për rastet kur dhënia e ndihmës së shpëjtë ka shpëtuar jetë njerëzore. Ndihmën e shpejtë mund ta japin jo vetëm ata që janë pjesë e personelit mjekësor dhe infermieristik, por edhe ata që mund të trajnohen me teknikat shpëtuese.
Një ditë e hapur mësimi dhe praktike do të kryhet për të gjithë maturantët e qytetit të Tiranës më 31 mars 2026 pranë fushave shumësportëshe tek Parku i Madh i Liqenit Artificial prej orës 11.30 paradite.
Trajnimi për të dhënë ndihmën e shpejtë ose siç njihet në gjuhën profesionale BLS (Basic Life Support) ju mëson teknikat bazë të shpëtimit të jetës në situata emergjente si reanimacioni kardiopulmonar, kompresionet në kraharor, ventilimi artificial dhe përdorimi i defibrilatorit automatik (DAE). Ky trajnim është pjesë e studimeve në Infermieri, por është i hapur edhe për publikun duke i ndihmuar njerëzit të reagojnë shpejt dhe të shpëtojnë jetë deri në mbërritjen e ndihmës mjekësore.
Ora e hapur e leksionit në terrenet sportive të Liqenit Artificial do të kryhet nën udhëheqjen e lektorit Ervin Bejko dhe koordinatores së programit të studimit në Infermieri pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” PhD Enkeleda Gjini.
Po më 31 mars një pjesë tërheqëse e programit trajnues për të rinjtë do të jetë edhe seminari i udhëhequr nga fizioterapisti Florian Spada PhD drejtues i praktikave klinike dhe programit të studimit në Fizioterapi pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” mbi përmirësimin e mbajtjes së trupit drejt, një fenomen që lidhet shumë vitet e fundit me probleme të adoleshentëve dhe të të rinjve.
I gjithë aktiviteti kryhet në bashkëpunim me Agjensinë e Parqeve dhe Rekreacionit.