×

UKZKM fiton financim për dy projekte kombëtare kërkimore nga AKKSHI: Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore dhe Mikotoksinat në Pacientët Onkologjikë

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ka kënaqësinë të ndajë me komunitetin akademik dhe publikun lajmin e përzgjedhjes për financim të dy projekteve kombëtare për kërkim e zhvillim, të udhëhequra nga Dr. Andia Guga, Departamenti i Arkitekturës dhe Dr. Elisa Domi, Departamenti për Vlerësimin Kimiko-Toksikologjik dhe Farmakologjik të Barnave, në kuadër të thirrjes së Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).


Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ka kënaqësinë të ndajë me komunitetin akademik dhe publikun lajmin e përzgjedhjes për financim të dy projekteve kombëtare për kërkim e zhvillim, të udhëhequra nga  Dr. Andia Guga,  Departamenti i Arkitekturës dhe Dr. Elisa Domi, Departamenti për Vlerësimin Kimiko-Toksikologjik dhe Farmakologjik të Barnave, në kuadër të thirrjes së Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Projekti “Monitorimi strukturor i Teatrit të Akademisë së Arteve Tiranë: teknologji inovative për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” është një iniciativë novatore që sjell për herë të parë në Shqipëri teknologji të avancuar për monitorimin e strukturave historike. Projekti synon zhvillimin dhe implementimin e një sistemi të monitorimit të vazhdueshëm mbi Teatrin e Akademisë së Arteve, për të regjistruar në mënyrë të detajuar sjelljen e strukturës si në kushte të zakonshme (degradim natyror), ashtu edhe në situata të jashtëzakonshme (tërmete).
Në këtë nismë marrin pjesë edhe partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë si: Universiteti i Firences,TECNOPOLO D’Abruzzo, PALMERINI SCT, WEST AQUILA SRLdhe MGAD DESIGN. 
Ky bashkëpunim shumëdisiplinor do të mundësojë krijimin e modeleve të replikueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke kombinuar shkencat inxhinierike me inovacionin digjital dhe arkitekturën historike.

Projekti “Roli i mikotoksinave në pacientët onkologjikë”, përfaqëson një kërkim të rëndësishëm që adreson lidhjen midis pranisë së mikotoksinave në organizëm dhe simptomave neuropsikiatrike tek pacientët me kancer. Në mungesë të të dhënave kombëtare për këtë çështje, ky projekt do të realizojë për herë të parë në Shqipëri një studim sistematik mbi llojet dhe efektet e mikotoksinave tek pacientët onkologjikë, në bashkëpunim me QSUT, Universitetin e Barit “Aldo Moro” dhe qendrat kërkimore italiane CNR e ISPA.
Ky projekt do të kontribuojë në përmirësimin e të kuptuarit të ndikimit të mikotoksinave në shëndetin mendor të pacientëve, si dhe në përcaktimin e politikave të reja shëndetësore dhe sociale për këtë kategori të ndjeshme.

Këto projekte janë një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Universitetit tonë në përparimin e kërkimit shkencor në nivel kombëtar, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me qendra e partnerë vendas dhe të huaj. Suksese grupeve të punës! 


Na ndiqni