×

Vaksinimi

Vaksinimi, si një nga ndërhyrjet më të efektshme të shëndetit publik, ka ndryshuar në mënyrë drastike ndikimin e sëmundjeve infektive në botë. Nisur nga përvoja, vaksinimi i punonjësve shëndetësorë konsiderohet me rëndësi thelbësore dhe bazohet në dy fakte: së pari, rreziku i lartë profesional ndaj sëmundjeve infektive, së dyti, rreziku për pacientët, që shpesh u përkasin grupeve me prekshmëri të lartë, si subjekte me kushte patologjike predispozuese, kategori të brishta si të moshuarit dhe të porsalindurit.


Nga Olisa PATA
Programi i Studimit në Mjekësi

Vaksinimi, si një nga ndërhyrjet më të efektshme të shëndetit publik, ka ndryshuar në mënyrë drastike ndikimin e sëmundjeve infektive në botë. Nisur nga përvoja, vaksinimi i punonjësve shëndetësorë konsiderohet me rëndësi thelbësore dhe bazohet në dy fakte: së pari, rreziku i lartë profesional ndaj sëmundjeve infektive, së dyti, rreziku për pacientët, që shpesh u përkasin grupeve me prekshmëri të lartë, si subjekte me kushte patologjike predispozuese, kategori të brishta si të moshuarit dhe të porsalindurit. Studimi ynë lindi nga fakti se, studentët e mjekësisë i përkasin kësaj kategorie që brenda pak vitesh do të jenë mjekë repartesh, ndërkohë që aktualisht, ndajnë kohën e tyre midis reparteve spitalore dhe  universitare, shpesh duke lënë pas dore vëmendjen për programet e imunizimit, duke mos përdorur këtë mënyrë efikase të kontrollit të sëmundjeve infektive. Ne vlerësuam një mostër të përbërë nga 218 studentë, që i përkasin 4 viteve akademike radhazi (2015 - 2019), të degës së Mjekësisë dhe Kirurgjisë, të Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", të cilët iu nënshtruan ekzaminimeve imunologjike, të kryera nga shërbimi i Mjekësisë Profesionale në Poliklinikën "Tor Vergata", në Romë. 85% e kampionit të analizuar ishte midis moshave 22 dhe 24 vjeç. Laboratori vlerësoi mbrojtjen imunitare ndaj hepatitit B, fruthit, shytave dhe rubeolës. Ne jemi përqendruar veçanërisht në reagimin e antitrupave kundër hepatitit B, pas 3 dozave të vaksinimit të kryera në vitin e parë të jetës. Rezultatet ishin befasuese, pasi vetëm 42% e kampionit treguan nivele të mjaftueshme të antitrupave për t'u konsideruar imun ndaj kësaj sëmundjeje (> 10 IU / L). Ky mbulim u gjet në nivele edhe më të ulëta (rreth 15% të imunizuar), për studentët e vaksinuar pothuajse 20 vjet më parë (gjatë vitit të parë të jetës së tyre), e cila rritet në 60%, për studentët që kishin një rikthim të mëvonshëm të vaksinës kundër HBV, 10 vjet më parë. Masa e antitrupave, në një nivel teorik, pasqyron numrin e dozave, moshën e vaksinimit, por edhe qarkullimin e mundshëm të agjentit etiologjik indigjen pas vaksinës (i cili vepron si një përforcues natyror). Në vend të kësaj, bazuar në studimin tonë, ne dokumentojmë rëndësinë e monitorimit të sasisë së antitrupave, për të vlerësuar efektivitetin e programeve të vaksinimit, dhe përveç kësaj, vlerën shtesë të mbrojtjes të dhënë nga dozat përforcuese. Këto strategji rekomandohen edhe më shumë, për të gjitha kategoritë e personelit shëndetësor, në mënyrë që të garantojnë një mbrojtje optimale kundër sëmundjeve infektive, të parandalueshme me vaksina.


Na ndiqni