×

Workshop 3D PAST

Si pjesë e seminarit 3D PAST, studentët në vitin e katërt të Arkitekturës për kursin "Rilevim për Restaurimin", në bashkëpunim me profesorë, asistentë dhe studentë të Universitetit të Firences, realizuan një studim dhe analizë të saktë dhe të thelluar, në disa banesa karakteristike, të qytetit të Gjirokastrës.


Nga GENTIANA KOLI

Programi i Studimit në Arkitekturë

Si pjesë e seminarit 3D PAST, studentët në vitin e katërt të Arkitekturës për kursin "Rilevim për Restaurimin", në bashkëpunim me profesorë, asistentë dhe studentë të Universitetit të Firences, realizuan një studim dhe analizë të saktë dhe të thelluar, në disa banesa karakteristike, të qytetit të Gjirokastrës. Përmes kësaj përvoje domethënëse, studentët patën mundësinë të njihen me "Qytetin e Gurtë", trashëgimi e UNESCO-s, historinë e saj, kulturën dhe ndërtesat karakteristike.

Studimet e rastit kishin të bënin me shtëpitë e familjes Fico, shtëpinë e Zekatëve dhe shtëpinë e Dalipajve. Shtëpia e familjes Fico (e ndërtuar në vitin 1902), paraqet një risi për qytetin, shumë konservatore dhe tradizionale për kohën. Stili arkitektonik, i theksuar mbi të gjitha në fasadat e dekoruara dhe dritaret e mëdha dhe të shumta, ishte arketipi i një tipologjie të re të banesave, e cila bashkon elegancën dhe përdorimin e ndryshëm të materialeve të ndërtimit të vendit, duke i qëndruar besnik teknikave tradicionale të ndërtesave të kohës. Shtëpia e Zekatëve është një ndërtesë karakteristike e Gjirokastrës, e vendosur në një pozicion mbizotërues të qytetit në kufijtë e qendrës historike. Shtëpia është një zhvillim i qartë i "Shtëpisë torre", ende shumë mirë e ruajtur, e cila veçohet jo vetëm për vlerat e mëdha arkitekturore dhe monumentalitetin e saj: këtu përbërja origjinale ruhet ende me elementët tipikë të një kështjelle, duke e bërë atë një shembull të qartë të zhvillimit dhe tipologjisë së shtëpisë së Gjirokastrës dhe, më gjerësisht, të shtëpisë së qytezës shqiptare. Shtëpia e Dalipajve ndryshe nga të tjerat, nuk ka ndjekur "projektin tipik" të një shtëpie. Ajo është zgjeruar dhe rritur, sipas nevojave të pronarëve të saj, duke u shndërruar në pjesët anësore, me oborret dhe kalimet brenda saj, pa paraqitjen karakteristike të një shtëpie qytetase. Sot është në një gjendje degradimi, megjithëse ende ruan fazat e ndryshme të ndërtimit, midis rrënojave dhe ndihmon për të kuptuar teknikat e ndryshme tradicionale të ndërtimit të këtij qyteti.

Studentët bënë një studim të thelluar të situatës aktuale, duke përdorur mjete të përparuara teknologjike siç janë skanuesit lazer, kamerat profesionale, dronët, kamerat e imazhit termik, etj., dhe përmes programeve profesionale, të ndihmuar nga të gjithë profesorët dhe asistentët kanë kryer një punë të kujdesshme, e cila i ndihmoi në aftësimin e tyre profesional.

Analiza e këtyre rasteve studimore ka nxjerrë në pah, jo vetëm veçoritë e arkitekturës së Gjirokastrës, por edhe (dhe mbi të gjitha), problemet e shumta në lidhje me gjendjen e shumë Monumenteve të Kulturës në Shqipëri, për mbrojtjen dhe restaurimin e tyre, si një trashëgimi që duhet të respektohet, mirëmbahet dhe ruhet, edhe për brezat e ardhshëm.


Na ndiqni