Vetëm pak pas Ditës Ndërkombëtare të vajzave dhe grave në Aula Magna në Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" u promovua Plani i Barazisë Gjinore, i cili u prezantua nga Prof. Ersilia Buonomo, e Deleguara e Rektorit për Planin e Barazisë Gjinore.
Ky është një dokument i rëndësishëm për kohën kur vjen, tha Rektori Prof. Leonardo Palombi, pasi sipas tij sot bota ka nevojë për një brez të ri që të kuptojë sa e rëndësishme është bashkëjetesa gjinore, sintonia e mbrojtjes së të drejtave të gjithkujt, për ndërtimin e një shoqërie më të mirë. E ftuar në këtë takim me një audiencë të lartë Prof. Anila Godo tha se barazia gjinore është më shumë se një e drejtë njerëzore. Prof. Godo solli shembuj që mbështesin arsimin dhe edukimin e vazhdueshëm si garanci për një shoqëri më të drejtë.
Dhjetra student, vajza e djem, u bashkuan në “Aula Magna” për të ndjekur këtë prezantim ambicioz, të hollësishëm, kurajoz për objektivat që afron standardet më të mira në UKZKM. Plani 3 vjeçar u përgëzua nga të gjithë folësit në takim. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Guido Macchiarelli tha se propozimi i këtij plani si një mekanizëm zhvillimi demokratik është një hap i guximshëm drejt respektit që të rinjtë duhet të kenë ndaj njëri-tjetrit.
Profesoreshë Ersilia Buonomo tha se për këtë dokument është punuar prej 8 muajsh, nga një grup i dedikuar, me qëllim reduktimin e asimetrive që krijohen mes gjinive, në një kohë kur në shoqëri të zhvilluara, tha ajo, ka një protagonizëm në rritje të vajzave e grave. Ky plan tha Prof. Ersilia Buonomo është i hapur ndaj të gjithëve për të bashkëpunuar. Universiteti Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" sjell për herë të parë një plan trevjeçar që përcakton strategjinë për të promovuar kulturën e barazisë së gjinive dhe për të ulur pabarazitë, duke vlerësuar diversitetin.
Prof.ssa Ersilia Buonomo e deleguara e Rektorit për Planin e Barazisë Gjinore prezantoi planin që është në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe me Drejtorinë e Përgjithshme për Kërkimin dhe Inovacionin të Komisionit Evropian.
Për të pranishmit, në përfundim u shfaq filmi "C’è ancora domani" me regji të Paola Cortellesi.