Elona Ndoj është diplomuar me rezultate maksimale në Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", në Programin e Studimit “Farmaci”, në vitin 2019. Që në vitet e para të studimit ka shfaqur pasionin e saj për kërkim shkencor, veçanërisht në fushën e Neurologjisë. Për temën e saj të diplomimit u përqendrua dhe punoi në fushën e “Neurologjisë dhe Neuroshkencës” pranë Spitalit “Fate bene fratelli”. Pas kualifikimit në Milano, punoi pranë një farmacie në Verona gjatë periudhës së epidemisë COVID.
Pas dy vitesh përvojë pune në farmaci, Elona vendosi të ndiqte ëndrrën e saj për kërkim shkencor. Aktualisht, është duke ndjekur Doktoratën pranë Universitetit të Breshias, me fokus në "Gjenetikë molekulare dhe mjekësi traslacionale të aplikuar në neuroshkencë". Gjithashtu, është duke vazhduar kërkimin e saj shkencor pranë Universitetit të Roçesterit në Shtetet e Bashkuara, me fokus në farmakologji dhe fiziologji të aplikuar në fushat e psikologjisë dhe neuroshkencës. Hulumtimi i saj përqëndrohet rreth përbërësve kimikë që aktivizojnë receptorët orfanë.
Elona shpreh mirënjohjen e saj për Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" i cili ka kontribuar ndjeshëm në formimin e saj profesional. Vlerëson veçanërisht aftësinë e profesorëve në fushën farmaceutike dhe mjedisin mikpritës të universitetit, faktorë që kanë kontribuar në rritjen e interesit të saj për kërkim shkencor në fushën e Neuroshkencës.