Eftiola Pojani e filloi karrierën e saj universitare në UKZKM ku përfundoi "Masterin e Shkencave në Farmaci dhe Farmaci Industriale" në vitin 2012. Studimet i përfundoi me temën për kërkimin e barnave për sëmundjet tropikale të neglizhuara. Menjëherë pas kësaj mori licencën për ushtrimin e profesionit të farmacistes, ku mbajti funksionin e Drejtores Teknike në farmacinë spitalore të një Poliklinike në Tiranë. Në nëntor të vitit 2013, filloi studimet për doktoratën e kërkimit në "Shëndet publik, diagnozë molekulare të sëmundjeve infektive dhe farmakovigjilancë", në Fakultetin e Farmacisë të UKZKM, me temën kërkimore "Vlerësimi i efektivitetit të vaksinave të përdorura në Shqipëri duke studiuar reagimin e imunitetit në subjektet e vaksinuara me vaksina të kombinuara (MMR) ose vaksina të vetme (Hepatiti B)". Nga Nëntori 2015 e deri më sot është Anëtare e Departamentit për Vlerësimin Kimik-Toksikologjik dhe Farmakologjik të Barnave, në Fakultetin e Farmacisë.