Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC), pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, organizoi konferencën e titulluar “Risitë Istitucionale për një ekonomi në shërbim të së mirës së përbashkët - Rasti i shoqërive benefit në Itali”.
Në konferencë, ku ishte e pranishme Sh.T. Milva Ekonomi, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes u diskutua mbi rolin e shoqërive benefit dhe për mundësinë e implementimit të tyre në Shqipëri. Shoqëritë benefit janë një formë e re juridike, të ngritura në Itali me Ligjin e Stabilitetit të vitit 2016. Të frymëzuara nga modeli i Benefit Corporation të krijuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato realizojnë në Itali ambicjen e disa ndërmarrjeve, që synojnë të kenë një impakt pozitiv mbi ambientin dhe mbi komunitetin pa hequr dorë nga fitimi dhe dividendi.
Sh.T. Milva Ekonomi, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, duke shprehur kënaqësinë që ishte e ftuar në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” theksoi se edhe në Shqipëri kanë nisur të implementohen bizneset sociale dhe kjo është edhe në vëmendjen e qeverisë. “Shqipëria e krijoi këtë ligj (bizneset sociale), duke pasur parasysh që disa ndërmarrje që janë në fushën e prodhimit të krijojnë një mundësi për punësimin e njerëzve të varfër”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Z. Mauro del Barba, Senator i Republikës së Italisë, anëtar i komisionit të përhershëm për bilancin e Senatit në fjalën e mbajtur u shpreh se ligji është vetëm hapi i parë për të ndryshuar dogmën dhe për të krijuar modelin e zhvillimit të qëndrueshëm. Është hapi i parë për t’i dhënë edhe një kontribut ekonomisë së paqes.
Aktiviteti u moderua nga Prof. Raul Caruso, Drejtor i CESPIC dhe ekspert i Shkencës së Paqes. Prof. Caruso e vuri theksin tek mundësia që ky ligj i ri i jep individëve dhe shoqërive për të zgjeruar gamën e preferencave, ç’ka sipas tij është një vlerë e shtuar.
Ndërsa, Prof. Carlo Bellavite Pellegrini, i Universitetit Katolik “Zemra e Shenjtë” (Itali) solli argumente mbi efektin këtij ligji, parë në dy këndvështrime, atë akademik dhe atë profesional, si docent i financës.
“Është shumë e rëndësishme që të rritet numri i kompanive apo sjellje në treg, të cilat të synojnë balancimin e të ardhurave dhe të sjelljeve më të ndershme ndaj shoqërisë dhe ambientit, gjithashtu të kemi një politikë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve, me propozime për harmonizimin e shoqërisë”. Kështu u shpreh Z. Ervin Bushati, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i komisionit parlamentar për ekonominë dhe financat.
Z. Ervin Bushati tha se në këtë pikë, Shqipëria ka shumë rrugë për të bërë, por edhe shumë rrugë ka përshkuar duke u nisur nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tërësisht kapitaliste pas viteve ’90-të.
“Mendoj se një hap i madh për Shqipërinë është reforma në drejtësi, që e kthen drejtësinë jo në një mall apo shërbim që blihet në treg, sepse kjo nuk është funksionale. Pasi drejtësia nuk është një mall që blihet në treg, por është një e drejtë njerëzore”.
Prof. Giovanni Lagioia, Dekan i Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” foli mbi rëndësinë e temës së trajtuar, si mjaft domethënëse për studimet ekonomike.
“Ka dy elementë të rëndësishme për tu nënvizuar: risia dhe rasti për të diskutuar mbi një propozim ligjor inovativ, si dhe mundësia për të arritur një ekonomi ndryshe”- u shpreh Prof. Lagioia .
Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë, i cili e përshëndeti këtë konferencë u shpreh se “cilido që dëshiron të krijojë pasuri, duhet të mendojë se kjo pasuri është në të mirën e të gjithëve. Dhe kush është aktiv në sektorin profit duhet të mendojë edhe për veprime non profit”.
Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, i cili e hapi konferencën me fjalën e tij përshëndetëse, nënvizoi se kjo është një iniciativë që lind nga CESPIC (Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim), e krijuar prej shumë se një viti dhe që lindi si ide e Presidentit të Fondacionit. “Duhet të jetë e qartë për të gjithë që ka një shkencë të paqes. Zakonisht me fjalën paqe perceptojmë ndjenjën dhe emocionin, por paqja nënkupton edhe kërkimin shkencor, analizën kritike dhe punën e përditshme”.
Eventin mund ta ndiqni edhe në kanalin tonë në YouTube, nëse jeni të interesuar, ju lutemi klikoni linkum e mëposhtme:
https://www.youtube.com/watch?v=Rbwshk13SLg&list=PLI8Y9uKhF2OUKNG29Hjt1lrxwjdJWapZR&index=10