×

Rrugëtime të paqes, integrimit dhe bashkëpunimit

Me datë 22 janar 2016, ora 10.00, në ambjentet e Aula Magna-s të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, u organizua Konferenca “Rrugëtime të paqes, integrimit dhe bashkëpunimit”


Me datë 22 janar 2016, ora 10.00, në ambjentet e Aula Magna-s të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, u organizua Konferenca “Rrugëtime të paqes, integrimit dhe bashkëpunimit”. Eventi u organizua nga bashkëpunimi i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri dhe Qendrën Evropiane të Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC).

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre Shkëlqesia e Tij Z. Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë dhe Eminenca e Tij Kardinal Antonio Maria Vegliò, President i Këshillit Papnor të Baritores për Emigrantët dhe Rrugëtarët. 

Konferenca filloi me përshëndetjen e Autoriteteve: Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit ZKM, Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit Katolik ZKM, Sh.T. Imzot Ramiro Moliner Inglès, Nunci Apostolik në Shqipëri, Eminenca e Tij Kardinal Antonio Maria Vegliò dhe Shkëlqesia e Tij Z. Bujar Nishani.

Atë Bernard Caruana përcolli Mesazhin e Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2016 “Munde Indiferencën, fito paqen”. Sipas Atë Caruana-s, pikënisje dhe fill përcjellës i mesazhit është në fakt një parim i rëndësishëm i tomizmit: “caritas pacem causat”; dashuria shkakton paqen. “Mesazhi mund të vlerësohet si një përmbledhje e papnisë dyvjeçare dhe rrjedhimisht, shpesh dalin në pah ato që janë temat dhe shprehjet të cilat Papa Françesku i ka për zemër.”

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu falënderimet dhe kënaqësinë e veçantë për ftesën e marrë për të qenë pjesë e kësaj aule, por edhe e të këtij evenimenti për të diskutuar rreth mesazheve të shenjta të Atit të Shenjtë në kontekstin e Ditës Botërore të Paqes, duke theksuar se mesazhet e Papa Françeskut shërbejnë për mundësimin dhe arritjen e paqes, mirëkuptimit dhe harmonisë së të gjithë njerëzimit pa asnjë dallim.

Konferenca qëllimin për të pëcjellë Mesazh paqeje, e konkretizoi me shpalljen e krijimit të Qendrës Evropiane të Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim – CESPIC (Centro Europeo di Scienza della Pace, Integrazione e Cooperazione), që do të operojë pranë Universitetit Katolik ZKM. 

Qendra ka qëllim kryesor të promovojë, të drejtojë dhe koordinojë studime dhe kërkime ndërdisiplinore mbi problemet e lidhura me tutelën dhe zhvillimin e paqes, me kushtet e integrimit ekonomiko-social, bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar, për të parandaluar konfliktet dhe favorizuar paqen e qetësinë midis popujve dhe besimeve fetare.

Në vijim gjatë Panelit akademik ndërkombëtar, profesorë të shquar nga Shqipëria, Italia, Greqia dhe Norvegjia, referuan mbi tema interesante të aktualitetit në raport me paqen:

 

  • E.T. Kardinal Antonio Maria Vegliò

Mëshira dhe paqja në realitetin e sotëm të emigracionit” 

  • Prof. Scott Gates, Instituti Ndërkombëtar Kërkimor i Paqes, Oslo, Norvegji 

Minoritetet dhe politikat gjithëpërfshirëse” 

  • Prof. Mimoza Kasimati, Universiteti i Tiranës

Edukimi si investim afatgjatë i kombit/shoqërisë

  • Prof. Christos Kollias, Universiteti i Thesalisë, Greqi 

Siguria si e mirë publike rajonale

  • Prof. Raul Caruso, Universiteti Katolik i Zemrës së Shenjtë, Itali 

Integrimi ekonomik dhe krijimi i paqes"

Na ndiqni