Në kuadër të projektit “Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe përfitimet e rehabilitimit me hidroterapi te fëmijët me paralizë cerebrale infantile”, të financuar nga Agjencia Kombëtare për Kërkime Shkencore dhe Inovacion dhe të realizuar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit dhe shkencës, stafi i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” vizitoi Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës, Prof. Dr. Haxhi Kamberi, së bashku me Prof. Ass. Arben Boshnjakun, mirëpritën Prof. Assoc. Malvina Hoxha, PhD Enkeleda Gjini dhe PhD Emanuela Prendi, duke forcuar më tej bashkëpunimin akademik midis dy institucioneve.
Gjatë vizitës u zhvillua edhe një takim i frytshëm me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Gjakovës, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, i përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit në qasjen psikologjike për trajtimin e pacientëve me paralizë cerebrale infantile. Ky shkëmbim idesh dhe përvojash theksoi rëndësinë e integrimit të metodave multidisiplinare në kujdesin ndaj pacientëve me paralizë cerebrale infantile. Koordinatorët e projektit, Prof. Assoc. Malvina Hoxha (Shqipëri) dhe Prof. Ass. Arben Boshnjaku (Republika e Kosovës), diskutuan për punën e kryer deri në këtë periudhë dhe planifikuan aktivitet e rradhës të lidhura me projektin.