Nën kornizën e “International Credit Mobility” (Erasmus+), ju dha formë dëshirës sime për të qënë një hap më pranë një studenti më cilësor, disi i përmirësuar. Krakova (Poloni), qytet i ftohtë. Ngrohtësinë do ta kompesonin studentët e tjerë Erasmus, mesdhetarët nga Italia e Greqia, spanjollët, ballkanasit serbë e rumunë, gjermanët që përmirësuan theksin e gjermanishtes sime, ukrainas e të tjerë miq vendas. Ngrohtësi të cilën ja jepnim njëri-tjetrit duke u bashkuar nga dy kauza: e para, studimi në universitet e së dyti, të qënit bashkë sepse njëri-tjetrin e bënim të ndihej në shtëpi e mes miqsh, ndonëse në një vend të huaj. Udhëtimet sëbashku do na çonin në qytete të Hollandës, Gjermanisë, Ukrainës, Sllovenisë e Hungarisë, për ta shijuar në kohë të shkurtër, atë gjysmë viti aq të gjatë. I mirëpritur në universitet, ku secila zyrë përpiqej të reduktonte burokracinë e të thjeshtonte proçesin e pranimit, për tu bashkuar sa më shpejt me pedagogët dhe nisjen e leksioneve. Pedagogët na nxisnin përmes leksioneve e detyrave të shpeshta, duke ulur barrierën gjuhësore. Një shtysë që nuk u shkëput as ditën kur u ndamë nga auditori, por vazhdon të na ndihmojë më përvojën që ofroi, interesin e përbashkët dhe kontakte të shkëmbyera.
Them se shumë ura u ngritën, shumë ura u përmirësuan e shumë rindërtuan. Simbolikë e rradhës, e cila nuk shpreh vetëm lidhjen e komunikimit mes studentësh e universitetesh, por edhe bashkimin e kulturave të vendeve, pranimin në shoqëri në një vend të huaj. Shpreh nevojën për të rritur cilësinë akademike dhe profesionale, mbi të gjitha, shpreh dëshirën për t’u takuar sërisht.