×

Vizita e Znj. Simona Cruciani në UKZKM: Një Diskutim mbi Parandalimin e Gjenocidit dhe Të Drejtat e Njeriut

Sot në Kampusin Qëndror të Universitetit dhe Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” patëm nderin të prisnim Znj. Simona Cruciani, Zyrtare e Çështjeve Politike nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen.


Sot në Kampusin Qëndror të Universitetit dhe Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” patëm nderin të prisnim Znj. Simona Cruciani, Zyrtare e Çështjeve Politike nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen.
Zonja Cruciani u prit nga Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini dhe u takua me drejtues e profesorë të stafit akademik të UKZKM. Në një nga sallat e universitetit u zhvillua një bashkëbisedim dinamik, i cili shërbeu për të dëgjuar mbi rolin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në luftën kundër dhunës, urrejtjes dhe gjenocidit dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi sfidat me të cilat përballen sot Kombet e Bashkuara dhe rajone të ndryshme në botë. Zonja Cruciani tregoi për eksperiencën e saj dhe iu pergjigj pyetjeve të audiencës së nderuar gjatë takimit, duke shtuar se zyra të cilën ajo përfaqëson monitoron dhe raporton për rastet e evidentuara të gjenocidit pranë  Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesja ndërkombëtare pas takimit u nderua nga Presidenti i Fondacionit fr. Ruggero Valentini me medalionin ku janë shënuar fjalët e Shenjtes shqiptare Nënë Tereza, e cila ka bekuar të gjithë ata që do të angazhohen në mbarëvajtjen e kompleksit të madh universitar dhe shëndetësor të “Zojës së Këshillit të Mirë” në Shqipëri. Pas marrjes së medalionit ajo falenderoi drejtuesit e Fondacionit dhe UKZKM për mikpritjen dhe tha se fjalët e Nënë Terezës do t’i mbante gjithmonë mbi tryezën e saj të punës, si shenjë e një vizite të bukur në Universitetin Katolik  “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shqipëri. Zonja Cruciani shënoi përshtypjet e kësaj vizite në librin e miqve dhe më pas ndoqi disa momente nga procesi i votimit që u krye për të zgjedhur “Të Drejtin” e vitit 2025. E ftuara u njoh me kandidaturat dhe pranoi të hidhte votën e saj për një prej tyre. Zyrtarja e Çështjeve Politike nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen tha se kishte vizituar disa Kopshte të të Drejtëve në disa vende të botës. Ajo përgëzoi Fondacionin Zoja e Këshillit të Mirë për ndërtimin e Kopshtit të parë në Shqipëri brenda Kampusit të UKZKM, duke mbështetur mesazhin që japin Të Drejtët sipas saj në botë, si kampionë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.


Na ndiqni