Sot në Kampusin Qëndror të Universitetit dhe Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” patëm nderin të prisnim Znj. Simona Cruciani, Zyrtare e Çështjeve Politike nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen.
Zonja Cruciani u prit nga Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini dhe u takua me drejtues e profesorë të stafit akademik të UKZKM. Në një nga sallat e universitetit u zhvillua një bashkëbisedim dinamik, i cili shërbeu për të dëgjuar mbi rolin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në luftën kundër dhunës, urrejtjes dhe gjenocidit dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi sfidat me të cilat përballen sot Kombet e Bashkuara dhe rajone të ndryshme në botë. Zonja Cruciani tregoi për eksperiencën e saj dhe iu pergjigj pyetjeve të audiencës së nderuar gjatë takimit, duke shtuar se zyra të cilën ajo përfaqëson monitoron dhe raporton për rastet e evidentuara të gjenocidit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesja ndërkombëtare pas takimit u nderua nga Presidenti i Fondacionit fr. Ruggero Valentini me medalionin ku janë shënuar fjalët e Shenjtes shqiptare Nënë Tereza, e cila ka bekuar të gjithë ata që do të angazhohen në mbarëvajtjen e kompleksit të madh universitar dhe shëndetësor të “Zojës së Këshillit të Mirë” në Shqipëri. Pas marrjes së medalionit ajo falenderoi drejtuesit e Fondacionit dhe UKZKM për mikpritjen dhe tha se fjalët e Nënë Terezës do t’i mbante gjithmonë mbi tryezën e saj të punës, si shenjë e një vizite të bukur në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shqipëri. Zonja Cruciani shënoi përshtypjet e kësaj vizite në librin e miqve dhe më pas ndoqi disa momente nga procesi i votimit që u krye për të zgjedhur “Të Drejtin” e vitit 2025. E ftuara u njoh me kandidaturat dhe pranoi të hidhte votën e saj për një prej tyre. Zyrtarja e Çështjeve Politike nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit dhe Përgjegjësinë për Mbrojtjen tha se kishte vizituar disa Kopshte të të Drejtëve në disa vende të botës. Ajo përgëzoi Fondacionin Zoja e Këshillit të Mirë për ndërtimin e Kopshtit të parë në Shqipëri brenda Kampusit të UKZKM, duke mbështetur mesazhin që japin Të Drejtët sipas saj në botë, si kampionë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.